Çfarë u raportua
Pas ngjarjes tragjike të vrasjes së një turisti portugez në Ksamil më 18 gusht 2026, portali i lajmeve Verified News Agency (VNA) publikoi artikullin e shoqëruar me një foto që në pamje të parë tregonte pamje të kamerës së sigurisë nga skena e ngjarjes. Pak orë më vonë, disa media shpërndanë të njëjtën fotografi pa bërë verifikimet përkatëse.

Fotoja u bë menjëherë virale, derisa vetë VNA postoi një reagim publik ku sqaronte se fotoja ishte e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale për qëllime ilustruese. VNA e cilësoi këtë si një “eksperiment social që demaskoi mënyrën se si mediat raportojnë pa bërë asnjë verifikim”.
Çfarë gjetëm
1.Pranimi nga vetë portali
Vetë VNA pranon që imazhi është sintetik.

2.Mungesa e etiketimit
Pavarësisht pretendimit se ishte “ilustrim”, imazhi u publikua pa asnjë etiketë që të njoftonte lexuesin se po shihte një përmbajtje të prodhuar nga inteligjenca artificiale.
3.Përhapja e imazhit në rrjet
Mungesa e këtij etiketimi bëri që imazhi sintetik të merrej si i mirëqenë nga përdoruesit e rrjetit dhe të shpërndahej gjerësisht si pamje reale e vendngjarjes.
Analiza
Sqarimi publik i faqes VNA përmban dy anë që meritojnë analizë:
1. Ku ka të drejtë VNA?
Reagimi i tyre demaskoi me të drejtë epideminë e gazetarisë copy-paste në Shqipëri. Me sa duket, asnjë nga portalet nuk e verifikoi autencitetin e imazhit, qoftë duke bërë një kërkim vizual, qoftë duke pyetur grupin e hetimit. Kjo tregon për të disatën herë se filtrat redaktorialë janë pothuajse inekzistentë.
2. Ku çalon argumenti i VNA-së?
Përshkrimi i këtij incidenti si një “eksperiment social” shërben si një manovër për të shmangur përgjegjësinë.
T’i kërkosh publikut apo redaksive të tjera “të bëjnë analizë gjeografike të Sarandës në foto për të kuptuar që është AI” është shmangie e përgjegjësisë: i pari që duhet të etiketojë përdorimin e Inteligjencës Artificiale është ai që e krijon dhe e publikon atë.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Shihni me kujdes kohën në kamerat e sigurisë (CCTV):
Edhe pse 18 gushti ishte ditë e martë, segmenti i orës në imazh e tregon atë si të hënë (“Monday”), një lajthitje logjike mjaft e zakonshme për modelet e Inteligjencës Artificiale.

- Shqyrtoni detajet gjeografike dhe dritën:
Imazhet e gjeneruara me Inteligjencë Artificiale shpesh dështojnë te perspektiva, dritëhijet ose renditja e objekteve fizike në sfond.
- Verifikoni njoftimet zyrtare të Policisë:
Pamjet e vërteta të hetimit kriminal që përdoren si prova publikohen ose konfirmohen vetëm përmes kanaleve zyrtare të Policisë së Shtetit apo Prokurorisë.
Verdikti
Titujt që pretendonin pamje ekskluzive të kamerave të sigurisë bazoheshin në një krijim sintetik me Inteligjencë Artificiale, publikuar nga VNA pa etiketim e duhur. Për këtë arsye, këtyre raportimeve i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast bart një klasifikim të dyfishtë: dezinformim nga faqja VNA, e cila e krijoi dhe e hodhi në qarkullim imazhin pa etiketim të qartë, dhe çinformim nga mediat e tjera që e ripublikuan atë pa bërë asnjë verifikim.