Çfarë pretendonin postimet

Në mes të qershorit 2026, faqe të ndryshme shqiptare në rrjetet sociale si Sportmania, Gazeta Shkodra Sport dhe Gazeta Metro shpërndanë foton të shkëputur nga videoja që tregonte një pikturë gjigante të portierit të Kepit të Gjelbër, Josimar Dias (i njohur si Vozinha), në një shesh madhështor bregdetar.

Ngjarja mori përmasa virale pasi Kepi i Gjelbër barazoi heroikisht me Spanjën më 15 qershor në Kupën e Botës, si dhe për shkak të historisë emocionuese të Vozinha-s, i cili bëri apel që nënës së tij t’i jepej viza për ta parë të luante në stadium.


Çfarë gjetëm

1. Etiketa zyrtare në postimin origjinal

Videoja origjinale u postua më 16 qershor nga llogaria e Instagramit @andyeffects. Postimi kishte të bashkangjitur etiketën që tregon se përmbajtja është e krijuar me Inteligjencë Artificiale.

Screenshot i etiketës në postimin origjinal

2. Autori konfirmon përdorimin e Inteligjencës Artificiale

Në përgjigje të komenteve, autori sqaronte se bëhej fjalë thjesht për “një homazh me Inteligjencë Artificiale”.

Screenshot i komenteve të autorit në postimin origjinal

Gjithashtu, agjencia e lajmeve Reuters kontaktoi drejtpërdrejt me autorin, i cili konfirmoi që pamjet nuk janë reale.

3. Mospërputhje gjeografike

Edhe pse qyteti i shfaqur në videon e gjeneruar ngjan me qytetin e Mindelo në ishullin e São Vicente (përfshirë portin dhe malet në sfond), topografia dhe ndërtesat e detajuara nuk përputhen plotësisht me realitetin, pasi ato janë “halucinacione” të Inteligjencës Artificiale.


Analiza

Me sa duket kemi të bëjmë me një rast çinformimi, ku teknologjia hiper-realiste e Inteligjencës Artificiale bashkohet me një histori të fortë njerëzore dhe sportive.

Suksesi historik i Kepit të Gjelbër në Kupën e Botës dhe lotët e portierit bënë që askush të mos e vinte në dyshim vërtetësinë e pamjeve.


Si ta dallosh herën tjetër

  • Kërko lajmet kryesore:

Nëse një qytet do të pikturonte vërtet një shesh të tërë, mediat ndërkombëtare (si FIFA apo agjencitë fotografike si Getty Images) do të kishin me dhjetëra foto reale të artistëve duke e pikturuar atë nga toka, jo vetëm një video të vetme të filmuar nga lart.

  • Kushtoju vëmendje etiketave:

Shpesh, vetë krijuesit i etiketojnë si Inteligjencë Artificiale positmet e tyre.

  • Logjika e kohës:

Realizimi i një pikture që mbulon mijëra metra katrorë të një sheshi publik kërkon disa ditë planifikim dhe punë intensive. Është e pamundur të shfaqet si me magji një ditë pas një ndeshjeje.


Verdikti

Pretendimet e faqeve shqiptare se Kepi i Gjelbër ka nderuar portierin Vozinha me një pikturë gjigante në një shesh të qytetit nuk janë të vërteta. Përmbajtja është një homazh i krijuar përmes Inteligjencës Artificiale (ChatGPT dhe Kling), konfirmuar nga vetë autori. Për shkak se videoja po shpërndahet pa kryer verifikimet e duhura, këtij lajmi i japim verdiktin: I rremë.