Çfarë u raportua
Pas një raportimi të mbërritur në redaksi nga një lexuesi ynë, kryem verifikimin e një lajmi viral publikuar në Instagram nga Faktinews.al. Postimi pretendon se hajdutët kanë vjedhur të gjitha rrotat e makinave të parkuara të policisë, në Gjermani, duke peshkuar qindra mijëra shikime dhe reagime nga përdoruesit.
Çfarë gjetëm
1.Mungesë e deklaratave zyrtare apo raportimeve mediatike
Asnjë media e besueshme ndërkombëtare, rrjet gjerman apo departament i policisë gjermane nuk ka lëshuar asnjë deklaratë ose raportim që të konfirmojë lajmin.
2.Burimi është një llogari sensacionale në Instagram
Lajmi e ka origjinën nga news_earth7, një llogari agreguese në Instagram, që shpesh publikon lajme sensacionale me natyrë clickbait, pa cituar asnjë burim të verifikueshëm.
3.Pamjet janë sintetike
Analiza e pamjeve në SightEngine tregon se videoja e shpërndarë është e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.

Analiza
Rrjetet sociale janë të përmbytura me materiale sensacionale ku mungojnë detajet specifike si vendndodhja e saktë, data apo citimi i autoriteteve, të gjitha këto, shenja që e rrisin probabilitetin e pavërtetisë.
Në rastin e policisë gjermane, protokolli i komunikimit publik është mjaft rigoroz. Çdo incident që prek infrastrukturën e policisë bëhet menjëherë publik për mediat vendase. Fakti që nuk ekziston asnjë gjurmë e kësaj ngjarjeje në shtypin gjerman ngre dyshime të mëdha për vërtetësinë e tij.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Mungesa e detajeve specifike:
Lajmet e rreme përdorin pothuajse gjithmonë deklarata të përgjithshme (p.sh. “në një stacion policie në Gjermani”). Nëse në video apo tekst nuk përmendet qyteti i saktë, data ose emri i institucionit, ji skeptik.
- Kujdes nga profilet “Aggregator”:
Llogaritë aggregator nuk janë redaksi gazetarie. Ato ripublikojnë përmbajtje pa asnjë verifikim me qëllimin e vetëm për viralitet.
- Moskonfirmimi nga mediat lokale:
Një ngjarje e këtij niveli (vjedhja e rrotave të të gjithë flotës së policisë) do të përbënte lajm kryesor në mediat gjermane. Nëse mediat e vendit ku pretendohet se ka ndodhur ngjarja heshtin, lajmi me shumë mundësi nuk ekziston.
- Verifikimi i figurave (Reverse Image Search):
Përdorni Google Lens ose TinEye, pjesë e mjeteve tona, për të zbuluar nëse pamjet janë marrë nga ngjarje të vjetra apo janë krijuar me Inteligjencë Artificiale.
Verdikti
Pamjet që tregojnë një flotë makinash të policisë gjermane, të mbetura pa rrota pas një vjedhjeje masive, janë të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale, ndërsa lajmi nuk është raportuar nga asnjë media gjermane apo ndërkombëtare. Për këtë arsye, këtij pretendimi i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje e rreme që u shpërnda pa verifikim, pa qëllim mashtrimi, por me pasoja çinformuese për publikun.