Çfarë po raportohet
Në rrjetet sociale ka qarkulluar gjerësisht një video ku shihet një viç që i afrohet pjesës së prapme të një kamioni qumështi dhe përpiqet të pijë nga figura e një lope të stampuar në të.
Në hapësirën mediatike shqiptare, kjo video u shpërnda në platformën Instagram nga faqja zyrtare e emisionit Fiks Fare, duke e paraqitur atë si një moment “sa të ëmbël po aq dhe prekës”.

Çfarë gjetëm
1.Lajthitje dhe anomali vizuale tipike të Inteligjencës Artificiale
Një ekzaminim i hollësishëm i videos zbulon anomali që provojnë origjinën sintetike:
Mbishkrimet në pjesën e prapme të kamionit përmbajnë shkronja të deformuara, shenjë klasike e halucinacioneve të Inteligjencës Artificiale.

Emri i kompanisë përngjan me kompaninë Vijaya Dairy, por nuk përputhet me logon zyrtare.

2.Konfirmimi nga mjetet e detektimit të AI-së
SightEngine konfirmoi se videoja është e modifikuar ose e krijuar me Inteligjencë Artificiale.

Analiza
Materialet me kafshë që shfaqin sjellje emocionale apo të pazakonta janë ndër përmbajtjet më të përdorura për të nxitur reagime te përdoruesit dhe për të gjeneruar klikime.
Në këtë rast, me sa duket llogaria e Fiks Fare në Instagram ka dështuar të dallojë shenjat klasike të Inteligjencës Artificiale, si shkrimi i deformuar në kamion, duke ushqyer pa dashur çinformim te ndjekësit e tyre të shumtë.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Lexoni tekstet në video:
Softuerët e gjenerimit të videove me AI ende dështojnë në renditjen e drejtë të shkronjave. Nëse teksti në një tabelë, targa makine apo reklamë është i turbullt ose pa kuptim, ji skeptik.
- Vëzhgoni detajet në lëvizje:
Verifikoni nëse objektet statike (si shkronjat e targës apo hijet) ndryshojnë formë gjatë lëvizjes së kamerës.
- Kontrolloni etiketën e platformës:
Instagram dhe Facebook vendosin shpesh një pullë gri në fund të videos ku shkruhet “AI content”.
Verdikti
Pamjet që tregojnë viçin duke tentuar të pijë qumësht nga figura e një lope në reklamë janë të modifikuara ose gjeneruara me Inteligjencë Artificiale. Si rrjedhojë, këtij postimi i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si çinformim. Videoja e modifikuar ose krijuar me Inteligjencë Artificiale u ripublikua si ngjarje e vërtetë nga llogaria në fjalë pa verifikim paraprak, pa qëllim të keq, por me pasoja çinformuese për përdoruesit.