Çfarë u raportua

Në fillim të gushtit 2026, një video me pamje shumë të detajuara, që pretendon se tregon momentin e përplasjes së një përforcuesi rakete të kompanisë SpaceX me sipërfaqen e Hënës, u përhap me shpejtësi në platformat sociale.

Screenshot nga postimi viral në Twitter

Në Shqipëri, videoja e rreme u shpërnda nga Radio Televizioni Shqiptar në llogaritë e tij në rrjetet sociale.

Postimi i RTSH që shpërndan videon e rreme


Çfarë gjetëm

1.Fizikisht e pamundur të xhirohet nga Toka

I kontaktuar nga Full Fact, Dr. Matt Bothwell, astrofizikan pranë Universitetit të Kembrixh, tha se pjesa e dytë e raketës Falcon 9 ishte rreth 12 metra e gjatë. Në një distancë prej më shumë se 370,000 kilometrash nga Toka, asnjë teleskop mbi sipërfaqen e planetit tonë nuk ka fuqi të kapë në mënyrë kaq të detajuar një objekt kaq të vogël në lëvizje.

2.Vetë Elon Musk e konfirmoi se videoja është e rreme

Pamjet u ripostuan edhe nga vetë CEO i SpaceX, Elon Musk.

Screenshot nga postimi i Elon Musk që shpërndan videon e rreme

Mirëpo, vetëm pak orë më vonë, ai e korrigjoi veten duke sqaruar se videoja ishte e rreme.

Postimi i Elon Musk që sqaroi se videoja ishte e rreme

3.Provat reale shkencore

Observatori Evropian Jugor konfirmoi goditjen përmes teleskopit VLT duke detektuar “gjurmët kimike” të gazit të natriumit dhe litiumit në tymin e ngritur.

Pamje të gjurmëve kimike të gazit të natriumit dhe litiumit në tymin e ngritur nga përplasja e raketës

Pamjet e vetme reale janë fotografi satelitore me rezolucion të ulët “para dhe pas” nga orbituesi koreano-jugor Danuri dhe sateliti LRO i NASA-s.

Pamje satelitore "para dhe pas" nga orbituesi koreano-jugor Danuri që tregon kraterin e krijuar nga përplasja e raketës


Analiza

Përforcuesi i raketës Falcon 9, e cila u nis në hapësirë në janar 2025 për të dërguar dy anije hënore, kishte mbetur në hapësirë si mbetje inerte. Nën ndikimin e gravitettit dhe erërave diellore, objekti prej 4 tonësh hyri në një trajektore përplasjeje me anën e largët të Hënës me një shpejtësi prej rreth 8,700 km/h.

Shpërndarja e videos së rreme nga Radio Televizioni Publik Shqiptar pa asnjë verifikim paraprak, tregon edhe një herë mungesën e filtrave gazetareskë në redaksitë e televizioneve në vend.


Si ta dalloni herën tjetër?

  • Vlerësoni mundësitë fizike dhe teknologjike:

Xhirimet nga afër me rezolucion të lartë të objekteve të vogla në hapësirë kërkojnë kamera të vendosura direkt pranë tyre. Pamje të tilla spektakolare janë pothuajse gjithmonë animacione kompjuterike.

  • Mos u besoni verifikimeve vetëm nga figura publike:

Fakti që një person me ndikim si Elon Musk e shpërndan një video, nuk e bën atë automatikisht të vërtetë. Figura të tilla shpesh ripostojnë përmbajtje pa verifikim paraprak dhe detyrohen ta korrigjojnë veten më vonë.

  • Kërkoni konfirmimin nga agjencitë zyrtare shkencore:

Ngjarje të tilla të mëdha konfirmohen përmes komunikatave për shtyp nga NASA, ESA ose observatorë shkencorë, ku publikohen të dhëna spektrometrike ose imazhe satelitore.


Verdikti

Videoja virale që tregon momentin e përplasjes së përforcuesit të raketës së SpaceX me sipërfaqen e Hënës është e gjeneruar me AI dhe është publikuar fillimisht në prill të vitit 2026. Për këtë arsye, këtij raportimi i japim verdiktin: I rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Çinformim. Përmbajtje që u shpërnda nga media në fjalë pa verifikim, pa qëllim keqdashës, por me pasoja çinformuese për publikun.