Çfarë u raportua
Gjatë ditëve të protestave në Tiranë, një fotografi me nota epike pushtoi rrjetet sociale dhe portalet shqiptare. Imazhi tregonte një grua të re, dukshëm shtatzënë, të veshur me të zeza dhe me fytyrën e mbuluar, e cila mbante lart një flamur shqiptar në mes të një rruge me tym dhe flakë.

Postimi u shpërnda fillimisht nga faqja JOQ Albania në Facebook, shoqëruar me mbishkrimin:
“Një grua shtatzënë lartëson flamurin kombëtar në mes të tymit dhe protestave në Tiranë. Një imazh i fuqishëm që simbolizon qëndresën, shpresën dhe luftën për një të ardhme më të mirë për brezave që po vijnë.”
Çfarë gjetëm
1.Manipuluar me Inteligjencë Artificiale
Analiza e SightEngine konfirmon që fotoja është e gjeneruar/manipuluar me Inteligjencë Artificiale.

Vetë JOQ Albania ka shtuar etiketën:

2.Bazuar në një foto të vërtetë
Imazhi origjinal është një fotografi e vërtetë e një protestueseje të veshur me xhinse blu dhe bluzë të zezë, e cila është duke hedhur një send (gur ose gaz lotsjellës) në mes të tymit. Fotografia është publikuar në rrjetin social X (Twitter) 3 ditë para publikimt të fotos së manipuluar.

Analiza
Duke tjetërsuar një fotografi reale me IA, autorët me sa duket kanë pasur qëllimin për të krijuar një “Karrem Emocional”. Një grua shtatzënë mes gazit lotsjellës me flamur në dorë është figura absolute e sakrificës, e garantuar për t’u bërë virale në një publik të ndezur nga protestat.
Roli i faqes JOQ Albania në këtë mes e bën rastin edhe më problematik. Ndonëse postimit në rrjetet sociale i shfaqet etiketa “AI Content”, mbetet e paqartë nëse kjo etiketë paralajmëruese u vendos që në momentin e parë të publikimit, apo u shtua më vonë.
Sidoqoftë, vetë mbishkrimi dhe mënyra e paketimit të fotos nga portali linte të kuptonte se ajo ishte e vërtetë.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Bëni “Kërkim të Anasjelltë”:
Forma më e mirë për të kapur mashtrime të tilla hibride është kërkimi i fotos në Google Lens, i disponueshëm edhe nëpërmjet mjetit tonë. Kjo do të nxirrte menjëherë imazhin origjinal.
- Kontrolloni emocionet:
Bëni kujdes me përmbajtjet që shkaktojnë reagim të fortë emocional, si elementët nacionalistë në rastin e kësaj fotografie.
Verdikti
Fotografia që tregon një vajzë shtatzënë gjatë protestave të dhunshme në Tiranë është manipuluar me Inteligjencë Artificiale, bazuar në një fotografi të vërtetë nga protestat. Për këtë arsye, këtij pretendimi i japim verdiktin: “I rremë”
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si dezinformim. Fotografi e pavërtetë e shpërndarë me qëllim për të rritur klikimet dhe ndërveprimet. Edhe pse publikimi është i shoqëruar nga etiketa “AI Content”, mbishkrimi bashkangjitur fotos lë të kuptojë të kundërtën.