Çfarë u raportua

Më 24 korrik 2026, llogaria albania_freedom_news në Instagram shpërndau një video ku shfaqet Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke humbur ekuilibrin dhe duke u rrëzuar teksa përpiqet të hipë në makinën presidenciale.

Video është shpërndarë fillimist nga llogari të ndryshme në X, si @drhossamsamy65, me sa duket për t’i mëshuar narrativës se gjendja fizike e presidentit është në rënie.


Çfarë gjetëm

1.Pamjet origjinale nga Fox News

Zanafilla e kësaj videoje është një transmetim i datës 1 korrik nga rrjeti amerikan Fox News. Nëse krahasojmë videon virale me transmetimin origjinal, çdo element përputhet: pozicioni i makinës presidenciale, këndi i kamerës, lëvizjet e agjentëve të sigurisë dhe sfondi me shtylla.

Screenshot nga postimi origjinal i Fox News

I vetmi ndryshim është fragmenti i manipuluar ku Trump rrëzohet. Në videon origjinale ai futet në makinë krejt normalisht.

Screenshot nga videoja virale

2.Anomalitë në video

Në momentin kur pretendohet se Trump rrëzohet, trupi i agjentit që e ndihmon duket sikur shkrihet me strukturën e derës së makinës. Gjithashtu, lëvizja e këmbëve të presidentit gjatë “rrëzimit” është robotike dhe e panatyrshme.

Analiza e SightEngine konfirmon manipulimin e pamjeve.

Screenshot nga analiza e SightEngine


Analiza

Krijuesit e kësaj videoje kanë marrë pamje reale dhe kanë manipuluar vetëm momentin kur presidenti rrëzohet. Në shikim të parë, sidomos në ekranet e vogla të celularëve, syri i njeriut e ka të vështirë të kapë anomalitë e pikselëve te dera e makinës.

Ky është një tregues i qartë se si veglat e modifikimit po përdoren gjithnjë e më shumë për t’i mëshuar një narrative të caktuar politike.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Kërkoni mospërputhje fizike:

Në videot e manipuluara, shikoni me kujdes pikat ku njerëzit bien në kontakt me objekte të forta (dyer, tavolina, makina). Nëse gjymtyrët “zhduken” ose shkrihen brenda objektit, gjasat janë se pamjet janë të manipuluara.

  • Logjika e lajmit të fundit:

Nëse Presidenti i SHBA-së do të rrëzohej vërtet në atë mënyrë, lajmi do të pushtonte çdo ekran të globit brenda pak minutash. Nëse pamjet gjenden “ekskluzivisht” vetëm në disa llogari anonime në X apo Instagram, jini skeptikë.


Verdikti

Videoja origjinale e 1 korrikut provon se presidenti Trump hyri në automjet pa asnjë incident, ndërkohë që videoja virale përmban anomali të dukshme të manipulimit digjital. Si rrjedhojë, këtij lajmi i japim verdiktin: I rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje e rreme që u shpërnda nga media shqiptare pa verifikim, pa qëllim mashtrimi, por me pasoja çinformuese për publikun.