Çfarë raportuan mediat

Më 5 dhe 6 korrik 2026, në prag të samitit të NATO-s në Ankara, media të ndryshme shqiptare përfshirë Syri Tv dhe Shqiptarja.com (duke cituar Corriere della Sera) publikuan artikuj bashkangjitur me një foto të tjetërsuar të kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Lajmi bazohej në një postim të datës 5 korrik në rrjetin Truth Social nga Donald Trump, i cili ndau një imazh ku Meloni shfaqej duke e parë atë me një vështrim admirues, të shoqëruar me mbishkrimin: “Nevojitet një urdhër mbrojtjeje”.

Postimi i Trump në Truth Social

Portalet shqiptare e analizuan saktë kontekstin e tensioneve të fundit mes tyre, mirëpo e morën imazhin të mirëqenë, si një çast të vërtetë të kapur nga aparatët fotografikë, të cilin presidenti amerikan gjoja po e përdorte për ta poshtëruar Melonin.


Çfarë gjetëm

Një analizë e pamjeve filmike, konfirmuar edhe nga verifikuesit e fakteve të France 24, vërteton se fotoja e shpërndarë nga Trump është një meme e manipuluar digjitalisht dhe vështrimi “i magjepsur” nuk ka ndodhur.

1..Prerja dhe alterimi i fytyrës

Së pari, imazhi është prerë për të hequr liderët e tjerë evropianë nga korniza dhe për t’i izoluar të dy. Fotoja e tjetërsuar Së dyti, shprehja e fytyrës së Melonit është tjetërsuar përmes mjeteve të editimit ose Inteligjencës Artificiale për ta bërë atë të duket “e magjepsur” pas presidentit amerikan.

2..Videoja origjinale rrëzon foton

Pamjet origjinale të këtij momenti u filmuan gjatë samitit të G7 në Evian, Francë (më 16 qershor 2026). Në video, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dëgjohet t’u thotë me shaka: “Pra, jeni miq sërish”. Meloni përgjigjet duke qeshur: “Kemi qenë gjithmonë miq”. Pozicionimi i trupave në foto përputhet me videon, por mimika reale e Melonit ishte një e qeshur e zakonshme, jo një “vështrim i magjepsur” ndaj Trump.


Analiza: Tensioni është i vërtetë, fotografia jo

Në këtë rast, mediat shqiptare raportuan drejt ngjarjet politike, por me sa duket dështuan në verifikimin e fotos.

Tensioni mes dy liderëve është mëse i vërtetë. Meloni, e cila ishte e vetmja lidere evropiane që mori pjesë në inaugurimin e Trump në vitin 2025, ka pasur një krisje të fortë me Uashingtonin kohët e fundit, për disa arsye, përfshirë:

  • Italia refuzoi t’i lejojë avionët ushtarakë amerikanë që transportonin armë për luftën në Iran të përdornin bazën ajrore në Siçili pa miratimin e parlamentit.

  • Trump kritikoi ashpër Papën Leo XIV për dënimin e luftës; Meloni e quajti sulmin të papranueshëm.

  • Trump deklaroi se Meloni i ishte “lutur” për një foto në G7 dhe ai kishte pranuar sepse “ndjeu keqardhje për të”. Kryeministrja italiane iu përgjigj prerë: “Krejtësisht e shpikur. As Italia, as unë nuk lutemi kurrë”.

Presidenti amerikan e shpërndau foton e tjetërsuar pikërisht për t’i hedhur benzinë zjarrit politik para samitit të NATO-s në Turqi. Mediat ranë në grackë duke analizuar pasojat gjeopolitike të imazhit, pa i treguar lexuesit se vetë fotografia ishte një montazh tallës dhe jo një fakt objektiv.


Si ta dallosh herën tjetër

  • Mos i besoni verbërisht profilit të politikanëve:

Vetëm fakti që një president apo figurë zyrtare publikon një foto në rrjetet e tij të verifikuara (si Truth Social apo X), nuk do të thotë që ajo është domosdoshmërisht e vërtetë.

  • Kërkoni pamjet filmike:

Kur një foto e vetme shkakton bujë për shkak të një mimike në një ngjarje publike si G7, aty ka dhjetëra kamera. Kërkoni videon e momentit në fjalë. Nëse mimika nuk gjendet në video, fotoja është modifikuar.

  • Vini re prerjen e fotos (Cropping):

Shpesh fotot priten qëllimisht për të hequr nga konteksti personat e tjerë që mund të shpjegojnë natyrën e vërtetë të bisedës.


Verdikti

Imazhi ku Giorgia Meloni shfaqet me një vështrim admirues ndaj Donald Trump nuk është origjinal; fotografia është prerë nga një moment real në samitin e G7 dhe mimika e saj është tjetërsuar. Mediat shqiptare e morën postimin e presidentit Trump si të mirëqenë, që plotëson kushtet e një raportimi: Manipulues.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si çinformim. Redaksitë raportuan me saktësi kontekstin politik, por dështuan të verifikojnë origjinalitetin e fotos që përdorën si pikënisje për lajmin e tyre.