Çfarë po raportohet
Gjatë muajit shtator 2026, një video prej 41 sekondash ka filluar të qarkullojë sërish në rrjetet sociale, duke përfshirë dhe nga llogari shqiptare, si Lajme Troç dhe postnews20.
Në video shfaqet presidenti Donald Trump duke mbajtur një fjalim, i cili ndërpritet papritur. Në atë moment, në sfondin zanor dëgjohet qartë dikush që thërret frazën në arabisht “Allahu Akbar”. Menjëherë pas kësaj thirrjeje, agjentët e Shërbimit Sekret vërshojnë në skenë për të rrethuar dhe mbrojtur Trumpin.
Postimet shoqërohen me mbishkrime të ngjashme me si më poshtë:

Çfarë gjetëm
1.Audio e montuar
Thirrja “Allahu Akbar” nuk ka ndodhur kurrë në realitet. Kërkimet e anasjellta të imazheve na çojnë tek videoja origjinale e publikuar nga televizioni amerikan ABC News, si dhe nga C-SPAN. Të dyja videot tregojnë të njëjtin moment të rrethimit të Trump nga truprojat, por në asnjë çast nuk dëgjohet kjo thirrje. Zëri është mbivendosur qëllimisht më vonë.
2.Ngjarja reale: Ohio, 12 Mars 2016
Videoja nuk është e vitit 2026. Ajo tregon një incident të ndodhur më 12 mars 2016, gjatë një tubimi në Vandalia, Ohio. Sipas këtij raportimin të NBC News Agjentët e Shërbimit Sekret nxituan në skenë sepse një protestues vendas i quajtur Thomas Dimassimo kaloi rrethimin e sigurisë dhe u përpoq të ngjitej në podium. Ai u arrestua menjëherë për prishje të rendit publik dhe nuk kishte asnjë lidhje me ekstremizmin islamik.
3.Riciklimi i një gënjeshtre disa vjeçare
Kjo video e montuar është një “zombi digjital”. Ajo u shfaq për herë të parë si mashtrim në vitin 2018 (duke marrë qindra mijëra shikime), u riciklua në vitin 2019, dhe tani në shtator 2026 po shpërndahet përsëri si një ngjarje “e freskët” për të shfrytëzuar tensionet aktuale politike.
Analiza
Ky rast është një shembull i shkëlqyer i asaj që në gazetarinë e verifikimit quhet Media e Manipuluar. Ndryshe nga deepfake e ndërlikuara, ky mashtrim është shumë i thjeshtë për t’u realizuar teknikisht: mjafton t’i bashkëngjitësh një klip zanor një videoje reale.
Duke mbivendosur thirrjen “Allahu Akbar” mbi një reagim të vërtetë sigurie, krijuesi i videos ndryshoi plotësisht kontekstin e ngjarjes, duke krijuar me dashje narrativën e dëmshme islamofobike.
Rishfaqja e kësaj videoje në shtator 2026 nga faqe të ndryshme tregon se si dezinformimi dhe çinformimi nuk vdesin kurrë plotësisht në internet. Ata qëndrojnë në “gjumë” derisa një zhvillim gjeopolitik t’u japë portaleve arsye për ta ricikluar për klikime. Llogaritë që e shpërndajnë sot si “të vërtetë” po bëhen altoparlantë të një dezinformimi që u demaskua plot 8 vjet më parë.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Kërkoni burimin origjinal (C-SPAN ose agjenci të mëdha):
Ngjarjet presidenciale në SHBA regjistrohen nga dhjetëra kënde. Nëse një thirrje si “Allahu Akbar” do kishte provokuar ndërhyrjen e Shërbimit Sekret, do të gjendej në kanalet zyrtare të C-SPAN, ABC apo NBC, jo vetëm në një video me rezolucion të ulët në Facebook apo TikTok.
- Analizoni përputhjen audio-video:
Në montazhet e thjeshta, niveli i zhurmës së zërit të shtuar shpesh nuk përputhet me akustikën e sallës apo zhurmën e turmës në sfond.
Verdikti
Thirrja “Allahu Akbar” është mbivendosur në mënyrë digjitale mbi një video të vitit 2016, ku incidenti u shkaktua nga një qytetar që tentoi të ngjitej në skenë, pa asnjë lidhje me grupe ekstremiste. Për këtë arsye, pretendimit të postimeve i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si Dezinformim në origjinën e tij, pasi dikush ka ndryshuar qëllimisht audion për të mashtruar publikun. Për faqet që po e riciklojnë në shtator 2026 pa e verifikuar, rasti shërben si një shembull i përsëritur i çinformimit.