Çfarë u raportua

Në portalet shqiptare Tirana Post dhe Top Albania Radio është publikuar një artikull me titujt si më poshtë:

Screenshot i artikullit të publikuar nga portalet

Lajmi i referohet asteroidit 2024 PT5, duke thënë se ai është kapur nga graviteti i planetit tonë dhe pritet të qëndrojë i lidhur me Tokën deri në vitin 2083.


Çfarë gjetëm

1.Viti 2083 dhe ngatërrimi i asteroideve

Artikulli pretendon se objekti do të mbetet i lidhur me Tokën deri në vitin 2083. Kjo është e pavërtetë për asteroidin 2024 PT5. Viti 2083 i përket në fakt një objekti tjetër të zbuluar më vonë, asteroidit 2025 PN7, i cili është një kuazi-satelit që pritet të qëndrojë rreth Tokës deri në atë vit. Autorët me sa duket kanë ngatërruar faktet e dy ngjarjeve.

2.2024 PT5 u largua që në vitin 2024

Ndryshe nga sa pretendon artikulli, ngjarja e asteroidit 2024 PT5 ishte jashtëzakonisht e shkurtër. Ky trup qiellor u kap nga graviteti i Tokës më 29 shtator 2024 dhe u lirua nga orbita jonë vetëm 57 ditë më vonë, më 25 nëntor 2024.

3.Titull manipulues

Edhe duke lënë mënjanë gabimin trashanik në raportim, titulli i artikullit është manipulues. As objekjti tjetër, 2025 PN7 nuk është një hënë e vërtetë, dhe nuk do jetë i dukshëm me sy të lirë, ndryshe nga çfarë pretendon fotoja që shoqëron artikullin.


Analiza

Ky lloj çinformimi buron nga keqpërkthimi dhe moskuptimi i termave të astronomisë nga ana e portaleve. Autorët e lajmeve me sa duket kanë ngatërruar kapjen e shkurtër gravitacionale të 2024 PT5 me shtegun 60-vjeçar të sinkronizuar të asteroidit 2025 PN7.

  • Mini-Hëna e vërtetë (si 2024 PT5):

Kapet nga graviteti i Tokës dhe rrotullohet drejtpërdrejt rreth planetit tonë, por qëndron për periudhë shumë të shkurtër.

  • Kuazi-Sateliti (si 2025 PN7):

Nuk rrotullohet fare rreth Tokës, por rrotullohet rreth Diellit me një shpejtësi dhe distancë thuajse identike me Tokën. Për shkak të këtij sinkronizimi, nga perspektiva jonë duket sikur po na ndjek ose sillet rrotull nesh, por në fakt varet vetëm nga graviteti i Diellit. Kuazi-satelitë të tillë mund të “shoqërojnë” Tokën për dekada, por ta quash atë një “hënë të dytë” është ekzagjerim.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Lexoni me kujdes datat dhe vitet:

Nëse një media thotë se një ngjarje astronomike e vitit 2024 po vazhdon, bëni një kërkim të shpejtë të emrit të asteroidit (p.sh. 2024 PT5 trajectory).

  • Jini skeptikë ndaj titujve ekzagjerues:

Kurrë nuk kemi pasur një hënë të dytë të mirëfilltë e të përhershme. Shumica e këtyre titujve u referohen shkëmbinjve 10-metërsh ose kuazi-satelitëve që pluskojnë paralel me ne.


Verdikti

Asteroidi 2024 PT5 u largua nga orbita jonë që në Nëntor 2024. Viti 2083 i përket objektit tjetër hapësinor, 2025 PN7. Edhe duke lënë mënjanë gabimin në raportim, titulli i artikullit është manipulues dhe krijon një perceptim të rremë tek lexuesi. Për këtë arsye, këtij titulli i japim verdiktin: Manipulues.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Çinformim. Portalet në fjalë kanë ngatërruar dy ngjarje të ndryshme astronomike dhe kanë përdorur një titull që krijon perceptim të rremë tek lexuesi.