Çfarë u raportua

Më 11 tetor 2026, portale të ndryshme shqiptare, përfshi këtu Kapitali, Syri.net, BoldNews publikuan artikuj alarmantë me tituj si më poshtë:

Screenshot-et e artikujve të portaleve shqiptare

Ato cituan një “renditje” nga Alessandro Palombo, të cilin e prezantuan si ekspert. Sipas artikujve, ky “studim” e nxirrte Tiranën të fundit, gjë që mediat nxituan ta lidhin menjëherë me politikat lokale, kullat e ndërtuara në kryeqytet dhe koston e papërballueshme të jetesës për qytetarët shqiptarë.


Çfarë gjetëm

1.Burimi është një llogari në X (Twitter) me metodologji të diskutueshme

Alessandro Palombo nuk përfaqëson një institut kërkimor; ai është një sipërmarrës privat. Të dhënat e tij për “cilësinë e jetesës” merren nga faqja Numbeo, ku informacionet hidhen vullnetarisht nga përdorues anonimë dhe nuk auditohen nga asnjë institucion i mirëfilltë statistikash.

2.Metodologjia ndryshon, Tirana kthehet e 'lirë'

Pas lumit të kritikave nga ndjekësit, që shkruanin se renditja nuk pasqyronte realitetin e qyteteve ku ata jetonin, Palombo ndryshoi metodologji, duke përfshirë 322 qytete të botës, dhe duke përdorur një pagë fikse referencë prej 86 mijë dollarësh në vit. Tirana kërceu nga kuadrati i “Jetesës së keqe” në kuadratin “Jetesa e lirë”.

Të dy grafikët e Palombos, ku Tirana kalon nga "qyteti më i keq" në "qyteti i lirë"

3.Në renditjen e fundit përdoret paga e 'Nomadëve Dixhitalë'

Në një reagim në platformën X, Palombo shkruan: “Në këtë rast, i dhashë hartës këtë këndvështrim, duke marrë si referencë pagën mesatare ‘nomade’.”

Reagimi i Palombos në X


Analiza

Tirana ka probleme të vërteta dhe shumë të prekshme: trafiku i rënduar, cilësia e ujit dhe ajrit, humbja e hapësirave publike, apo rritja alarmante e kostos së jetesës. Këto janë shqetësime thelbësore që meritojnë gazetari investigative dhe llogaridhënie nga pushteti.

Por në këtë rast, mesa duket, rëndësi për portalet kishte vetëm përfundimi, pasi u shërbente për të publikuar një lajm kundër qeverisë dhe “starkitektëve”, duke përforcuar bindjet e lexuesve, në vend që t’i informojë ata.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Verifikoni “Metodologjinë e Fshehur”:

Nëse një lajm bazohet në një grafik, kërkoni gjithmonë metodologjinë e përdorur për ta ndërtuar atë grafik. Nëse ka metodologji të diskutueshme, jini skeptikë.

  • Mos besoni fjalën “Ekspert” verbërisht:

Nëse një artikull thekson se “një ekspert i njohur e shpalli x gjë”, por nuk përmend asnjë universitet, organizatë ndërkombëtare apo institut kërkimor ku ai punon, jeni duke lexuar thjesht opinionin e një përdoruesi të rrjeteve sociale.

  • Kujdes nga lajmet që u përshtaten bindjeve tuaja:

Nëse një lajm konfirmon plotësisht gjithçka që ju mendoni apo besoni, ai kërkon dyfishin e skepticizmit. Për të tërhequr klikime, mediat shpesh izolojnë vetëm atë pjesë të informacionit që zemëron audiencën.


Verdikti

Lajmet se Tirana është qyteti më i keq për të jetuar në Evropë nuk janë bazuar në një studim zyrtar, por në një grafik të llogaritur nga një përdorues i platformës X, i cili përdori metodologji të diskutueshme për të arritur në ato përfundime. Për këtë arsye, këtyre titujve u japim verdiktin Kontekst i Mangët.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Çinformim. Studim me metodologji të diskutueshme, që u shpërnda nga mediat në fjalë pa u verifikuar, pa qëllim të keq, por me pasoja çinformuese për publikun.