Çfarë po raportohet
Gjatë ditëve të fundit në Shqipëri, një sërë biznesesh (hotele, restorante, etj.) kanë qenë në qendër të një fushate masive ku mijëra llogari kanë lënë vlerësime me 1 yll dhe komente negative në platforma si Google.
Në përgjigje të kësaj, ka pasur një reagim të koordinuar institucional dhe mediatik që e paraqet ngjarjen si një krim të rëndë. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në ABC News, (më pas i raportuar dhe nga Gazeta Tema) specialisti i kriminologjisë, Ervin Karamuço, e etiketoi ngjarjen si “në limitet e një terrorizmi kibernetik”, duke pretenduar se pas saj fshihen celula ekstremiste politike dhe grupe gjobvënëse që duan të shkatërrojnë ekonominë.
Në raportime të tjera, ABC News vazhdoi të përdorte termin “terroristë”, si më poshtë:

Çfarë gjetëm
Një analizë e fakteve dhe koncepteve digjitale tregon se termat e përdorur janë të pasaktë dhe synojnë të kriminalizojnë një formë moderne të protestës digjitale.
1..Termi terrorizëm kibernetik nuk ka bazë ligjore në Shqipëri
Pavarësisht rrezikut në rritje, termi “terrorizëm kibernetik” nuk ekziston si një nen i miratuar në Kodin Penal aktual të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse drafti i parë i Kodit të ri synonte ta kriminalizonte këtë vepër më vete, ai u tërhoq për shkak të kundërshtimeve nga shoqëria civile dhe akademikët, duke u mjaftuar vetëm me disa arnime të pjesshme të ligjit ekzistues. Për t’u përballur me sulmet digjitale ndaj institucioneve apo infrastrukturave (si spitalet apo rrjeti elektrik), prokuroria aktualisht i përshtat akuzat duke kombinuar Nenin 293/c për “Ndërhyrjen në sistemet kompjuterike” për aspektin teknik të goditjes, dhe Nenin 230 për “Vepra me qëllime terroriste” për të dënuar qëllimin e autorëve dhe destabilizimin e strukturave thelbësore.
Sidoqoftë, termi gjen përdorim dhe përkufizohet në mënyrë të detajuar në manualin e policisë, si më poshtë:

2..Përdorimi i termit 'terrorizëm kibernetik' është i ekzagjeruar
Duke pasur parasysh përkufizimin më sipër, përdorimi i termit “terrorizëm kibernetik” është i ekzagjeruar dhe nuk përputhet me realitetin e vepërave të tilla. Lënia e qëllimshme e mijëra komenteve me 1 yll nuk dëmton asnjë infrastrukturë kritike dhe nuk shkakton asnjë dëmtim trupor.
2..Termi i duhur është 'Review Bombing'
Dukuritë e tilla njihen globalisht si “Review Bombing” (Bombardim me vlerësime). Ndodh kur përdoruesit e internetit koordinohen për të ulur vlerësimin e një produkti, filmi, apo biznesi si formë bojkoti apo proteste. Ndërsa bie ndesh me politikat e platformave (si Google, të cilat kanë filtra algoritmesh për t’i fshirë këto vlerësime), ai konsiderohet mjet i aktivizmit digjital, jo terrorizëm.
Analiza: Përplasja e dy narrativave
Nga njëra anë, narrativa mediatike dhe institucionale kërkon ta paraqesë këtë si një sulm të egër antikapitalist që synon të shkatërrojë turizmin shqiptar dhe bizneset e suksesshme. Kjo narrativë me sa duket përdor frikën (“terrorizëm kibernetik”) për të trembur qytetarët që të mos marrin pjesë në këto fushata bojkotuese.
Nga ana tjetër, narrativa e aktivistëve thekson se ky është një targetim specifik politik. Bizneset e goditura konsiderohen nga protestuesit si “oligarkë” të lidhur ngushtë me pushtetin, të cilët kanë përfituar asete publike jashtë rregullave të tregut të lirë. Në këtë rast, vlerësimet kthehen në instrument presioni politik.
Duke përdorur terma të rëndë për të mbrojtur reputacionin e një grushti biznesesh, institucionet me sa duket përpiqen të kriminalizojnë mendimin dhe protestën online. Google dhe TripAdvisor kanë mekanizmat e tyre privatë për të pastruar vlerësimet e pavërteta pa pasur nevojë për ndërhyrjen e shtetit.
Verdikti
Deklaratat që e cilësojnë bombardimin me komente negative të bizneseve si “terrorizëm kibernetik” janë të ekzagjeruara. Ato marrin një dukuri të njohur të protestës online dhe e veshin me terma të rëndë për të justifikuar ndërhyrjen e policisë së shtetit. Si rrjedhojë, këtij pretendimi i japim verdiktin: Manipulues.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si Spin Politik / Keqinformim. Është një orkestrim narrativ ku media dhe institucionet shtrembërojnë me vetëdije kuptimin e “sigurisë kibernetike” për të shtypur një formë të re të protestës qytetare.