Çfarë po raportohet

Pas përfundimit të finales së Kupës së Botës 2026, në rrjetet sociale ndërkombëtare dhe vendase nisi të qarkullojë pretendimi se Federata Spanjolle e Futbollit e ka fshirë Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, nga fotoja zyrtare e festimit të titullit kampion.

Pretendimi u bë viral fillimisht në rrjetin “X” nga llogaria harryjsisson, ku shkruhej me ironi se Spanja e hoqi presidentin Trump nga fotoja.

Postimi viral në X

Kjo narrative u amplifikua shpejt edhe nga llogaria Facebook e tabloidit britanik The Sun:

Postimi i The Sun në Facebook

Ndërsa në hapësirën shqipfolëse u raportua nga portali Koha.net.

Raportimi i Koha.net

Çfarë gjetëm

1.Trump ndodhej jashtë kuadrit të aparatit

Analiza e videos zyrtare të transmetimit të Fox Sports (rreth minutës së 17-të të ceremonisë së ndarjes së çmimeve) tregon se gjatë momentit kur kapiteni Rodri ngre trofeun, Donald Trump dhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po qëndronin në të djathtë të skenës.

Pamje nga videoja zyrtare e ceremonisë

Fotoja e publikuar nga spanjollët është e shkrepur nga një kënd tjetër, duke lënë presidentin Trump dhe Infantinon jashtë kuadrit.

2.Gara për bujë e tabloidëve ndërkombëtarë

Prania e Trump në skenë krijoi momente sikleti gjatë ceremonisë, mirëpo tabloidi britanik The Sun e përdori këtë kontekst për të ndërtuar një titull spekulativ e sensacionalist, i cili më pas u riprodhua pa verifikim nga media shqiptare.


Analiza

Rasti i fotografisë së trofeut ilustron se si mund të krijohet një lajm i rremë pa pasur nevojë për inteligjencë artificiale apo programe të ndërlikuara montazhi. Mjafton një foto shkrepur nga një kënd tjetër për të ushqyer narrativa të paqena.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Dalloni këndin e fotografimit nga ndërhyrja digjitale:

Jo çdo foto ku mungon një personazh do të thotë se ai është fshirë. Fotografët në ngjarje masive përdorin lente dhe kënde të ndryshme, si rrjedhojë, foto të ndryshme.

  • Kërkoni pamjet video:

Krahasimi i fotos me videon e transmetimit të drejtpërdrejtë zbulon menjëherë pozicionin e saktë të njerëzve në skenë.

  • Kujdes nga spekulimet e tabloidëve:

Gazetat si The Sun përdorin shpesh tituj provokues dhe supozime për të gjeneruar klikime, duke e paraqitur një supozim si fakt të kryer.


Verdikti

Pretendimi se Federata Spanjolle e Futbollit e ka fshirë presidentin Donald Trump nga fotoja zyrtare e ngritjes së trofeut është i pabazuar në fakte. Verifikimi me pamjet reale të transmetimit konfirmon se fotoja e publikuar nga Federata Spanjolle është kapur nga një kënd tjetër. Për këtë arsye, lajmit i japim verdiktin: I rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Çinformim. Koha.net nuk ka pasur si qëllim të mashtrojnë lexuesit, por ka rënë pre e spekulimit të tabloidit britanik, duke shpërndarë një pretendim të pa verifikuar.