Çfarë pretendohet
Së fundmi, në rrjetet sociale qarkullon një video e çuditshme që ngjason me një skenë filmi fanta-shkencë. Në pamje shfaqet një robot humanoid, i veshur me një veshje spitali, duke vrapuar me shpejtësi në mes të qytetit, ndërkohë që ndiqet nga një makinë policie me sirena të ndezura.
Kjo video është marrë dhe publikuar nga faqja Replikë Media si dhe nga media kombëtare Tv Klan në llogaritë e tyre në Instagram, duke u servirur për audiencën shqiptare si një ndodhi ose kuriozitet real i ditëve të fundit.

Çfarë gjetëm
1.Asnjë raportim nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve
Nuk ka asnjë raportim nga asnjë agjenci ndërkombëtare lajmesh në botë për një robot të arratisur. Pamjet vizuale, lëvizjet jonatyrale të “robotit” dhe ndriçimi kinematografik janë tregues klasikë të videove të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale.
2.Deklarimi i hapur në profilin e autorit
Autori origjinal i kësaj videoje e ka deklaruar qartë natyrën e saj. Në vetë bio-n e llogarisë shkruhet se faqja publikon video të krijuara me Inteligjencë Artificiale.

3.Dështimi i verifikimit elementar
Për ironi, TV Klan kredion autorin e vidoes, por me sa duket nuk lexon përshkrimin në bio.

Analiza
Ky incident dëshmon përtacinë profesionale të redaksive në vend. Media në fjalë e kreditoi llogarinë pa lexuar bio-n ku shkruhet qartë se prodhon video me Inteligjencë Artificiale, duke çuar në çinformimin e publikut.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Lexoni Bio-n e profileve:
Kur një faqe shqiptare i jep kredite një llogarie të huaj, klikoni mbi të për të zbuluar natyrën e llogarisë që e ka krijuar.
- Bjerini lapsit:
Një robot humanoid i nivelit kaq të avancuar sa të vrapojë i lirë në mes të qytetit nuk ekziston ende për përdorim spitalor. Lajme të tilla epokale do të ishin në faqet e para të Reuters, BBC apo CNN.
- Vëzhgoni lëvizjen e kamerës:
Videot e krijuara me Inteligjencë Artificiale shpesh kanë një lëvizje tepër fluide dhe të përsosur, pa dridhjet natyrale që ka një person teksa xhiron me telefon.
Verdikti
Pamjet e robotit që arratiset nga spitali janë të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale, etiketuar qartë nga krijuesi i tyre. Për këtë arsye, pretendimit i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si çinformim. përmbajtje e rreme që u shpërnda nga mediat shqiptare pa verifikim, pa qëllim mashtrimi, por me pasoja çinformuese për publikun.