Çfarë po raportohet

Në fund të muajit gusht 2026, një lajm mori dhenë në rrjetet sociale dhe mediat sportive në mbarë botën: legjenda braziliane e futbollit, Roberto Carlos, raportohej se ishte konvertuar në Islam.

Zërat nisën fillimisht nga një fotografi ku ish-kampioni i botës shfaqej i ulur në një tavolinë me disa dokumente përpara, krah një kleriku mysliman dhe një gruaje të mbuluar me shami. Qimja u bë tra kur një ligjvënës turk, Ali Sahin, publikoi në platformën X një postim ku uronte Carlosin për vendimin.

Postimi i Ali Sahin

Sahin pretendoi se një udhëheqës i njohur islamik në Sao Paulo i kishte konfirmuar se ish-lojtari i Fenerbahçes kishte bërë “Deklaratën e Besimit” (Shehadetin).

Në Shqipëri, media dhe portale të njohura si Syri.net, Klan Sport, Mapo, Zëri, dhe Gazeta Shqip e përkthyen dhe e shpërndanë lajmin pa bërë verifikimet e nevojshme, duke ia servirur publikut shqiptar si një fakt të kryer.


Çfarë gjetëm

1.Përgënjeshtrimi publik nga vetë Roberto Carlos

Përballë furtunës mediatike, Roberto Carlos reagoi me një deklaratë të qartë në profilin e tij në Instagram, si dhe përmes një interviste për median saudite Okaz.

Screenshot i deklarates së Roberto Carlos në Instagram

Ai u shpreh: “Dua të sqaroj se pas spekulimeve të fundit, nuk jam konvertuar në Islam. Kam respektin më të madh për komunitetin mysliman, ashtu si për njerëzit e të gjitha feve. Besimi është thellësisht personal.”

2.Sqarimi nga bashkëshortja e tij

Gruaja që shfaqet me shami në foton virale është bashkëshortja e tij, Souhaila Al-Tahiri, një agjente futbolli me origjinë marokene. Në një prononcim për median marokene Hesport, ajo konfirmoi se bashkëshorti i saj nuk ka ndryshuar fe dhe theksoi rëndësinë e mospublikimit të informacioneve të ndjeshme pa i verifikuar paraprakisht.

3.Burimi i lajmit ishte një thashethem

Ligjvënësi turk u mbështet në fjalët e një personi të tretë gjatë një vizite në Brazil, pa pasur asnjë konfirmim direkt nga futbollisti. Kjo deklaratë e paverifikuar u mor nga mediat turke dhe më pas infektoi rrjetin global.


Analiza: Sindroma e “Copy-Paste” në redaksitë shqiptare

Ky rast ilustron edhe një herë dobësinë e madhe të ekosistemit mediatik në Shqipëri, ku lajmet sensacionale të portaleve të huaja përthehen drejtpërdrejt pa bërë asnjë verifikim.

Fakti që platforma me ndikim si Klan Sport, Syri.net apo Gazeta Shqip publikuan historinë vetëm duke u bazuar në raportimet e mediave turke apo statuseve në rrjete sociale, tregon për një mungesë të theksuar të praktikave bazë të gazetarisë: verifikimin në dy burime të pavarura. Për një figurë publike të kalibrit të Roberto Carlos, çdo ndryshim i tillë do të njoftohej zyrtarisht nga vetë ai. Mungesa e këtij konfirmimi zyrtar duhet të shërbente si shenjë për redaksitë tona përpara se të publikonin lajmin.


Verdikti

Titujt se ish-futbollisti brazilian Roberto Carlos është konvertuar në fenë islame u përkthyen nga mediat e huaja pa bërë verifikimet e duhura . Historia buron nga keqinterpretimi i një fotografie dhe thashethemeve. Për këtë arsye, këtyre raportimeve i japim verdiktin: “TË RREME”


Klasifikimi

Rasti klasifikohet si Çinformim. Lajm i pavërtetë, i shpërndarë nga mediat shqiptare pa qëllim dashakeq, por me pasoja çinformuese për publikun.