Çfarë po raportohet

Ditët e fundit, në rrjetet sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, është shpërndarë një video e shkurtër që pretendon të tregojë një incident diplomatik mes Kinës dhe Rusisë.

Screenshot nga videoja e shpërndarë nga spektri.al

Sipas mbishkrimeve që shoqërojnë videon, gjatë një vizite të Vladimir Putinit në Kinë në nëntor 2026, lideri rus i zgjat dorën homologut të tij kinez, Xi Jinping, por ky i fundit refuzon dhe e tërheq dorën mbrapsht. Pamjet janë paraqitur si një “poshtërim publik” dhe mungesë respekti nga Pekini ndaj Moskës.


Çfarë gjetëm

1.Pamjet origjinale janë të gushtit 2026 dhe tregojnë shtrëngimin e duarve

Një kërkim i anasjelltë i pjesëve të videos zbulon se pamjet nuk janë filmuar në Kinë në nëntor, por më 31 gusht 2026 në Bishkek të Kirgistanit, në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Në videon origjinale të publikuar në Instagram nga vetë SCO, tapeti, perdet, flamujt dhe kostumet e dy liderëve janë identike, por në versionin e vërtetë, Xi Jinping dhe Putin shtrëngojnë duart normalisht.

Screenshot nga videoja origjinale e takimit në Bishkek

2.Burimi fillestar është një llogari me emrin 'Spoof'

Videoja e manipuluar u publikua fillimisht më 19 nëntor 2026 në platformën X nga llogaria @RussianSpoof, e cila ngrinte pyetjen provokuese nëse Kina po e poshtëronte Putinin. Vetë emri i llogarisë burimore (Spoof = parodi/mashtrim) është shenjë që llogaria nuk është një burim i besueshëm lajmesh.

Screenshot nga llogaria @RussianSpoof

3.Asnjë raportim nga mediat ndërkombëtare

Një incident i tillë diplomatik mes dy prej liderëve më të fuqishëm në botë do të kishte pushtuar faqet e para të çdo agjencie lajmesh. Megjithatë, kërkimket tona nuk gjetën asnjë raportim nga media serioze ndërkombëtare.


Analiza

Ky rast tregon edhe një herë se sa lehtë bien portalet shqiptare në kurthin e videove të manipuluara, sidomos kur ato përmbajnë dramë gjeopolitike.

Një skenë ku Presidenti kinez “injoron” apo “poshtëron” Putinin është material perfekt për klikime, komente dhe debate të nxehta në rrjet. Kjo i kthen mediat lokale në shpërndarës të çinformimit, duke u bazuar në një video të manipuluar që nuk ka asnjë lidhje me realitetin.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Lexoni emrin e llogarisë burimore:

Përpara se të besoni një video virale nga X apo TikTok, shikoni kush e ka postuar. Llogaritë me fjalë si Spoof, Parody apo Satire në emër nuk janë burime lajmesh.

  • Kontrolloni lajmet kryesore:

Nëse një lider botëror si Xi Jinping do t’i refuzonte publikisht dorën Putinit, kjo do të raportohej brenda pak minutash nga Reuters, AP, BBC apo CNN. Përndryshe, ji skeptik.


Verdikti

Videoja që tregon Xi Jinping duke refuzuar të shtrëngojë dorën Vladimir Putinit është e manipuluar nga një video e gushtit 2026 në Kirgistan, dhe nuk ka lidhje me samitin e APEC-ut në nëntor 2026. Për këtë arsye, këtij raportimi i japim verdiktin: I Rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Çinformim. Video e manipuluar e shpërndarë pa verifikim, pa qëllim të keq, por me pasoja çinformuese për publikun.