Çfarë pretendonte fotoja

Fotografia u transmetua për herë të parë mbrëmjen e 1 qershorit në një debat televiziv në ABC News. Njëri prej analistëve deklaroi se fotoja tregonte autobusë të financuar nga Greqia për të sjellë protestues në Shqipëri.

Postimi u shpërnda me shpejtësi në portale të tjera, si Gazeta Tema, si dhe në rrjetet sociale, duke u përdorur si provë se protestat nuk ishin organike, por të nxitura dhe të financuara nga jashtë.


Çfarë gjetëm

1..SightEngine konfirmon gjenerimin me AI

Analiza e SightEngine zbuloi praninë e elementeve sintetike në strukturën e pikselave të fotografisë. SightEngine është një platformë e specializuar, ndër të tjera, në identifikimin e përmbajtjes së krijuar nga inteligjenca artificiale (si Gemini, Midjourney apo DALL-E).

Pamje nga analiza me SightEngine që tregon praninë e SynthID në strukturën e pikselave

2..Tekst alien dhe fytyra të paqarta

Ky zbulim mund të bëhet edhe me sy të lirë. Nëse zmadhojmë imazhin, shohim menjëherë anomalitë: teksti nëpër tabela dhe parrulla nuk ndjek rregullat gramatikore, ndërsa fytyrat dhe gjymtyrët e njerëzve janë të paqarta. Për të mos përmendur xhupat në mes të verës. Ky është një nga “halucinacionet” më të njohura dhe të dokumentuara të Inteligjencës Artificiale.

3..Asnjë burim i verifikueshëm nuk e konfirmon skenën

Nuk ekziston asnjë fotografi tjetër, nga agjenci fotografike ndërkombëtare si Getty Images, AP apo Reuters, që dokumenton autobusë të tillë në këtë kontekst. Nëse skenë e tillë do të ekzistonte, do të ishte fotografuar nga burime të tjera.

Pse u shpërnda ky imazh pikërisht tani

Koha e shpërndarjes nuk ishte rastësi. Imazhi u lëshua në qarkullim pikërisht në kulmin e debatit publik mbi projektin luksoz në zonën e Zvërnecit, kur narrativa “protestat janë të paguara nga jashtë” po fitonte terren. Media greke Kathimerini kishte raportuar vërtet për emigrantë shqiptarë që udhëtonin nga Greqia, por pa publikuar asnjë foto të tillë apo të ngjashme më këtë. Kjo histori e vërtetë u shfrytëzua si bazë kredibiliteti për të shpërndarë një “provë” vizuale të rreme.

Ky model quhet amplifikim i dezinformimit përmes kontekstit real: merret një fakt i vërtetë (emigrantët udhëtojnë), i shtohet një imazh i rremë, dhe rezultati duket shumë bindës sepse pjesa e vërtetë e bën të besueshme pjesën e rreme.


Si ta dallosh herën tjetër

  • Zmadho imazhin:

Shiko tekstet, fytyrat e njerëzve, gjymtyrët e çuditshme. Nëse janë të deformuara, është shenjë e qartë e një fotoje sintetike.

  • Kërko imazhin me Google Lens dhe TinEye:

Kush e publikoi i pari dhe kur? Nëse burimi origjinal është anonim, ji skeptik. Përdor Mjetin e Imazheve të Verifiko.al për analizë të shpejtë.

  • Kërko foto të tjera nga e njëjta skenë:

Ngjarjet reale fotografohen nga shumë burime. Nëse ekziston vetëm një imazh, ji skeptik.

  • Pyet kush përfiton:

Nëse imazhi mbështet një narrativë politike specifike dhe shfaqet pikërisht kur ajo narrativë është në kulm, ji skeptik.


Verdikti

Fotografia që tregonte autobusë me protestues të ardhur nga Greqia është tërësisht e fabrikuar. Analiza e SightEngine konfirmoi praninë e elementeve sintetike, dhe analiza me sy të lirë zbuloi anomali të shumta fizike dhe tekstuale. Për këtë arsye, këtij lajmi i japim verdiktin: I rremë.

Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si dezinformim. Fotografia është tërësisht e fabrikuar me Inteligjencë Artificiale dhe nuk ka asnjë bazë në realitet. Shpërndarja e saj gjatë kulmit të protestave bëhet me qëllim për të theksuar narrativën se ato financohen nga jashtë.