Çfarë raportuan mediat shqiptare

Së fundmi, portalet dhe televizionet shqiptare raportuan lajmin se prindërit e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, u kapën me 11 milionë dollarë në llogaritë e tyre bankare. Ato përdorën pothuajse të njëjtin tekst të përkthyer, duke cituar emisionin “Europe Today” të rrjetit Euronews:

Top Channel publikoi një kronikë dhe artikull me titull “Prindërit e Zelensky-t met 11 mln dollarë – Antikorrupsioni zbulon llogaritë, janë dhurata”.

Euronews Albania shpërndau lajmin me titullin “Korrupsioni në Ukrainë prek familjen e Zelensky-t, prindërve të tij u zbulohen 11 milionë dollarë…”.

Gazeta Tema publikoi shkrimin “Korrupsioni në Ukrainë prek familjen e Zelensky-t, prindërve të tij u zbulohen 11 milionë dollarë, ata flasin për ‘dhurata’”.

Këto redaksi iu referuan një videoje të montuar që qarkullonte në rrjetet sociale, që fillimisht u postua nga një përdorues i X, duke menduar se po citonin një burim legjitim ndërkombëtar.


Çfarë gjetëm

1..Video e montuar

Video e përhapur përdorte logon e Euronews, përmbante pamje të montuara dhe dëshmi të rreme (screenshots) të portaleve ukrainase për të mashtruar shikuesit. Asnjë artikull apo hetim i tillë nuk ekziston në platformat reale zyrtare. Pamje nga videoja e montuar që pretendonte të ishte nga Euronews

2..Bastisje e sajuar nga autoritetet

Lajmi pretendonte se Byroja Kombëtare Antikorrupsion e Ukrainës (NABU) kishte bastisur shtëpinë e Rimma dhe Oleksandr Zelenskyy. NABU zyrtarisht nuk ka kryer asnjë bastisje apo hetim të tillë, dhe asnjë kontroll nuk ka ndodhur në llogaritë e tyre.


Analiza: Si funksionon rrjeti rus “Matryoshka”?

Siç raportohet nga CPD pas kësaj fushate fshihet rrjeti i njohur rus i dezinformimit “Matryoshka”. Ky rrjet përdor strategji shumë të sofistikuar psikologjike dhe teknologjike për të injektuar narrativa të rreme dhe për të gërryer besimin e publikut:

  1. Vjedhja e Identitetit (Logo Spoofing): Ata krijojnë video të shkurtra duke përdorur logot, ngjyrat, fontet dhe stilin e mediave të njohura ndërkombëtare (si Euronews, BBC, apo Deutsche Welle).

  2. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale: Zërat që dëgjohen në video shpesh gjenerohen me Inteligjencë Artificiale për t’u dukur fiks si zërat e gazetarëve realë.

  3. Cikli i “Pastrimit” të Lajmit: Lajmi publikohet fillimisht nga llogari false (bots) në X (Twitter) ose Telegram. Më pas, përdorues të paguar e shpërndajnë masivisht. Portalet e lajmeve në vende të ndryshme (përfshirë Shqipërinë) e shohin videon, mendojnë se është prodhuar vërtet nga një media e madhe, dhe e përkthejnë pa e verifikuar.

Në këtë rast, raportimi i Euronews Albania është veçanërisht shqetësues, duke qenë se është pjesë e së njëjtës familje mediatike. Mjaftonte një kontroll i shpejtë qoftë edhe në faqen zyrtare të Euronews për të verifikuar nëse emisioni i tyre i mëngjesit kishte prodhuar një lajm të tillë.


Si ta dallosh herën tjetër

  • Kontrolloni faqen amë: Nëse shihni një video që mban logon e një media të madhe (“Euronews raporton…”), shkoni te faqja zyrtare (euronews.com) dhe kërkoni me fjalë kyçe. Nëse lajmi nuk ekziston aty, jini skeptik.

  • Përdorni platformat e Fact-Checking: Faqe si Reuters Fact Check, apo CPD në rastin e luftës në Ukrainë, i zbulojnë këto mashtrime ruse brenda pak orësh.


Verdikti

Pretendimi se prindërve të presidentit Zelenskyy iu gjetën 11 milionë dollarë në llogari dhe u hetuan nga antikorrupsioni ukrainas është i sajuar. Asnjë institucion nuk ka ndërmarrë veprime të tilla, dhe videoja e përdorur është e montuar. Për këto arsye, raportimit i japim verdiktin: I rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si dezinformim. Përmbajtje e rreme e krijuar nga një rrjet i organizuar (Matryoshka) dhe e shpërndarë me qëllim manipulimi politik për të dëmtuar imazhin e lidershipit ukrainas.

(Shënim: Ndonëse mediat shqiptare e shpërndanë atë si çinformim nga neglizhenca, natyra fillestare e materialit mbetet një operacion i pastër dezinformimi).