Çfarë po raportohet

Së fundmi, disa portale shqiptare, si Pamfleti, Revista Javore, Shqip Lajme, kanë publikuar artikuj me tituj sensacionalë, siç mund të lexohet në screenshot-in më poshtë:

Screenshot i artikullit të Pamfletit

Lajmi i referohet mbulimit që portali zyrtar i Selisë së Shenjtë, Vatican News, u ka bërë protestave në Shqipëri. Artikulli origjinal citon thirrjet e Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë për transparencë, mbrojtje të mjedisit dhe përfshirje të komunitetit, si dhe një fragment nga enciklika Laudato si’ e Papa Françeskut.


Çfarë gjetëm

1.Vatican News nuk është 'Fjala e Papës'

“Vatican News” është rrjeti zyrtar i informacionit i Selisë së Shenjtë, i cili funksionon si një lloj gazete publike që boton artikuj e lajme të përditshme. Shumica e artikujve aty shkruhen nga gazetarë dhe analistë. Opinionet e tyre, edhe pse mund të pasqyrojnë qëndrime të përgjithshme të Kishës, nuk janë as deklarata zyrtare dhe as fjalë direkte të Papës. Fjala e Papës gjendet ekskluzivisht në dokumente zyrtare (Enciklika, Homili) apo fjalime të mbajtura publikisht nga ai vetë.

2.Manipulimi përmes nxjerrjes nga konteksti

Kur Papa flet në fjalimet e tij apo në enciklika për tema universale si korrupsioni apo transparenca, ai flet në nivel global për të gjithë botën dhe njerëzimin. Papa nuk bën deklarata specifike politike ndaj liderëve individualë.

3.Fjalori i përdorur

Termat si “godet” apo “e bujshme” janë të huaj për gjuhën diplomatike dhe baritore të Selisë së Shenjtë. Ata përdoren ekskluzivisht nga portalet për t’i mëshuar narrativës së tyre dhe për të nxitur klikime.


Analiza

Duke shfrytëzuar peshën dhe respektin që gëzon institucioni i Papës dhe Vatikanit, titujt e shqyrtuar kanë synimin të krijojnë përshtypjen se një institucion kaq i lartë fetar po mban anë në debatet e përditshme politike të Shqipërisë, gjë e cila nuk është e vërtetë.

Ndërkohë që thirrja e Kishës lokale (Ipeshkvijve) për zhvillim integral dhe mbrojtje të natyrës është një fakt real, pretendimi se Vatikani “godet” personalisht Kryeministrin është i rremë.


Verdikti

Titujt që pretendojnë se Vatikani apo Papa ka “goditur” Kryeministrin e Shqipërisë nxjerr jashtë kontekstit parimet universale dhe hiperbolizon artikullin nga Vatican News. Për këtë arsye, këtij lajmi i japim verdiktin: Manipulues.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Keqinformim. Portalet kanë marrë një raportim mbi protestat dhe e kanë deformuar për t’i dhënë konotacionin e një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Kryeministrit.