Çfarë raportuan mediat
Më 26 qershor 2026, mediat shqiptare, duke përfshirë RTSH, Koha Jonë dhe Top Channel, publikuan artikuj me tituj sensacionalë si “Mrekullia Infantino!” ose “Fotot virale ndezin debat”.



Lajmi bazohej në dy imazhe që qarkullonin në rrjet, ku presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, shfaqej në tribunë duke ndjekur dy ndeshje që po luheshin në të njëjtin orar në qytete të ndryshme: Gjermani-Ekuador (New York) dhe Bregu i Fildishtë-Kurasao (Filadelfia).
Ndonëse në fund të tekstit mediat më lart theksonin se “fotoja mund të jetë fake”, ato me sa duket preferuan të ushqejnë një mister inekzistent në vend që të informonin lexuesit për të vërtetën.
Çfarë gjetëm
1. Infantino ishte vetëm në një stadium
Nuk ka asnjë dyshim mbi vendndodhjen reale të Infantinos mbasditen e 25 qershorti 2026. Presidenti i FIFA-s ishte fizikisht i pranishëm në stadiumin e Filadelfias për të ndjekur ndeshjen Bregu i Fildishtë-Kurasao. Pra, fotoja më poshtë është ajo e vërteta.

2. Fotoja tjetër është e modifikuar
Imazhi që tregonte praninë e tij në New York është i modifikuar digjitalisht. Një kërkim i fotos në Google Reverse Image Search të çon te fotoja origjinale, që daton më 16 qershor, marrë nga ndeshja Iran-Zelandë e Re, në Los Angeles.

Sfondi i personave dhe këndi i qëndrimit janë identikë; është ndryshuar vetëm grafika e ndeshjes në sfond.

Analiza
Mediat shqiptare i kishin të gjitha mundësitë për ta mbyllur këtë çështje pa e kthyer në një lajm me pikëpyetje. Në vend të kësaj, me sa duket zgjodhën rrugën e clickbait, duke larë duart në paragrafin e fundit se “ndoshta është fake”.
Të thuash “fotot mund të jenë fake” nuk është gazetari. Detyra e medias nuk është të ushqejë misterin, por t’i japë audiencës faktet pse ai imazh është i rremë. Duke e lënë të vërtetën pezull, media nuk informon por riciklon çinformimin e rrjeteve sociale.
Si ta dallosh herën tjetër
- Bëni atë që mediat nuk bënë (Reverse Image Search):
Nëse shihni një foto që pretendon diçka fizikisht të pamundur, ngarkojeni atë në Google Images ose TinEye, për të zbuluar origjinalin brenda pak sekondash.
- Vëzhgoni sfondin:
Në modofikime të këtij lloji, njerëzit në prapavijë, ndriçimi dhe hijet mbeten fiks të njëjta me foton origjinale.
Verdikti
Imazhi i Gianni Infantinos në dy stadiume njëkohësisht është i modifikuar. Raportimi i mediave shqiptare, që në vend që të çmontonin lajmin e rremë përmes një verifikimi të thjeshtë, e amplifikoi atë për klikime, tregon mungesë të filtrave editorialë. Për këto arsye, lajmit i japim verdiktin Manipulues.