Çfarë po raportohet
Pas përfundimit të ndeshjes ku Turqia humbi 4-1 në shtëpi (Bursa) ndaj Italisë më 28 shtator 2026, një video ka filluar të qarkullojë në rrjetet sociale. Në këtë video, pretendohet se trajneri i kombëtares turke, Vincenzo Montella, shfaqet i tërbuar duke goditur me shpulla lojtarët e tij në dhomat e zhveshjes pas disfatës.
Në Shqipëri, videoja u shpërnda nga portalet a24news, publik media dhe intervista.al, duke e paraqitur si një incident të vërtetë që ndodhi pas ndeshjes.

Çfarë gjetëm
1.Gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, bazuar në një video të vjetër
Videoja është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, bazuar në një video të vjetër që nuk ka asnjë lidhje me ekipin kombëtar. Ajo është regjistruar në vjeshtën e vitit 2016 dhe tregon Halit Kurt, trajnerin e ekipit amator turk Kayseri Meysuspor (U-19), duke rrahur lojtarët e tij në dhomat e zhveshjes.

2.Misteri i audios turke
Në videon virale, Montella dëgjohet duke ulëritur në turqisht. Kjo ra menjëherë në sy si anomali, pasi gjatë gjithë kohës si trajner i kombëtares turke Montella ka folur vetëm italisht. Audioja i përket videos origjinale të vitit 2016. Fjalët ofenduese dhe britmat janë të trajnerit turk Halit Kurt, jo të Vincenzo Montellës.
3.Skandali origjinal dhe realiteti i sotëm
Kur videoja origjinale doli në dritë në tetor 2019, shkaktoi një skandal kombëtar në Turqi, ku trajneri Halit Kurt u dënua nga Federata me 1,035 ditë përjashtim. Nga ana tjetër, humbja ndaj Italisë e ka vënë Montellën në presion të madh për dorëheqje, siç konfirmohet nga GOAL apo Gazzetta dello Sport, por incidentet në dhomat e zhveshjes janë vetëm thashetheme.
Analiza: Kur “memet” kthehen në lajm nga mediat e papërgjegjshme
Qëllimi fillestar pas krijimit të kësaj videoje mbetet i paqartë. Autori mund ta ketë prodhuar thjesht si një “meme” për të ironizuar dëshpërimin e kombëtares turke, por mund të ketë pasur edhe një qëllim dashakeq për të nxitur më tej zemërimin e tifozëve pas humbjes 4-1.
Megjithatë, pavarësisht synimit fillestar në rrjetet sociale, dëmi i vërtetë ndodh kur këto trillime vizuale legjitimohen nga mediat. Portalet shqiptare në fjalë, me sa duket e shpërndanë materialin pa kryer asnjë lloj verifikimi. Ky nxitim për të kapur klikimet e radhës nga një “skandal” shndërron median nga një filtër i së vërtetës, në një shpërndarës të çinformimit.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Përdorni kërkimin e anasjelltë:
Një screenshot nga videoja, kërkuar në Google Lens apo Yandex, do të zbulonte menjëherë qindra artikuj të vitit 2019 për trajnerin amator Halit Kurt.
- Analizoni përputhjen Audio-Fytyrë:
Edhe pse manipulimet vizuale kanë avancuar, shpesh lëvizja e buzëve nuk përputhet me fjalët që dëgjohen. Dhe mbi të gjitha, nëse një italian flet rrjedhshëm turqisht, jini skeptik.
Verdikti
Videoja është krijuar me Inteligjencë Artificiale, bazuar mbi një video reale të vitit 2016 ku trajneri turk Halit Kurt dhunonte ekipin e tij amator. Si rrjedhojë, këtij pretendimi i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje e rreme që u shpërnda nga media shqiptare pa verifikim, pa qëllim mashtrimi, por me pasoja reale dezinformuese për publikun.
