Çfarë pretendohet

Së fundmi, faqja në Instagram e living_albania ka publikuar një video magjepsëse mikroskopike me një mbishkrim pseudo-shkencor.

Screenshot i postimit të living_albania në Instagram

Postimi pretendon se videoja tregon “momentin e saktë kur nis jeta njerëzore”, gjatë një fenomeni të njohur si “shkëndija e zinkut”, duke u përpjekur t’i japë pamjeve një kuptim religjoz.


Çfarë gjetëm

1.Nuk janë qelia njerëzore, por të një krimbi

Kjo video nuk tregon ngjizjen e një njeriu. Pamjet tregojnë embrionin njëqelizor të një krimbi mikroskopik të quajtur Caenorhabditis elegans (C. elegans). Videoja është regjistruar nga shkencëtari Lars-Eric Fielmich dhe ka marrë pjesë në konkursin e famshëm të fotografisë mikroskopike Nikon Small World in Motion në vitin 2017. Pamje mikroskopike e ndarjes qelizore të nematodit C. elegans

2.Drita nuk është 'jeta', por bojë fluoreshente

Dritat e bardha dhe rozë që shihen në video nuk prodhohen vetvetiu nga ndonjë “reaksion jete”. Ato janë ngjyrues fluoreshentë të vendosur nga shkencëtarët në laborator. Ngjyra rozë tregon materialin gjenetik, ndërsa dritat e bardha tregojnë mikrotubulat që tërheqin kromozomet për të ndarë qelizën.

3.E vërteta e 'Shkëndijës së Zinkut'

Fenomeni i lirimit të zinkut është një zbulim i vërtetë i Northwestern University. Kur një vezë gjitari fekondohet, ajo lëshon miliarda atome zinku për të forcuar membranën e saj, gjë që në mikroskopët e posaçëm ngjason me një “valë shkëlqimi” në sipërfaqen e jashtme. Sidoqoftë, videoja e publikuar nga Living Albania tregon diçka krejt tjetër; procesin e mitozës, shumë kohë pas përfundimit të fekondimit.


Analiza

Në rrjetet sociale të huaja, kjo video qarkullon rëndom në llogari me tematikë fetare, të cilat e paraqesin zbulimin e “shkëndijës së zinkut” si provë vizuale për momentin hyjnor të ngjizjes.

Living Albania e ka përkthyer copy-paste nga llogaria faithoncrist, pa bërë asnjë verifikim. Si rrjedhojë, pamjet e ndarjes qelizore të një krimbi laboratori përfundojnë duke u shitur si “mrekullia e jetës njerëzore”.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Dyshoni te qelizat shumëngjyrëshe:

Në natyrë, qelizat e brendshme të trupit nuk ndriçojnë në ngjyrë rozë apo neoni. Nëse shihni ngjyra kaq të ndezura në mikroskop, ato janë 100% markera fluoreshentë të përdorur në hulumtime shkencore.

  • Përdorni kërkimin e imazheve:

Një screenshot i videos i kërkuar në Google Lens do t’ju drejtonte menjëherë te galeria e Nikon Small World 2017, duke rrëzuar çdo pretendim tjetër për origjinën e saj.

  • Kujdes nga hiperbolat shpirtërore:

Kur faqet e lajmeve bashkojnë termat mjekësorë me gjuhën shpirtërore, zakonisht janë duke shkëputur imazhet nga konteksti laboratorik për të fituar audiencë.


Verdikti

Pamjet në video tregojnë fazën e ndarjes qelizore të embrionit të një krimbi (C. elegans), dhe dritat e shfaqura janë thjesht ngjyrues laboratorikë. Për këtë arsye, pretendimit i japim verdiktin: I rremë.


Klasifikimi

Ky incident klasifikohet si çinformim. Është një shembull tipik se si mungesa e filtrave redaktorialë dhe dëshira për të krijuar postime virale bën që mediat të shpërndajnë, pa qëllim të keq, çinformim te publiku.