Çfarë po raportohet

Gjatë ndeshjes mes Izraelit dhe Austrisë, në kuadër të Nations League, futbollisti izraelit Saied Abu Farchi shënoi një gol dhe shkoi drejt flamurit të këndit për të festuar. Menjëherë pas kësaj, ai u ndëshkua me karton nga arbitri i ndeshjes.

Arbitri i ndeshjes duke ndëshkuar Saied Abu Farchi

Brenda pak orësh, media të mëdha, kombëtare dhe ndërkombëtare, publikuan tituj bombastikë duke pretenduar se lojtari kishte bërë gjestin e “shkrepjes së një arme zjarri” duke përdorur shkopin e flamurit të këndit. Nisur nga konteksti i ndjeshëm gjeopolitik, ky lajm u shpërnda me shpejtësi marramendëse në rrjetet sociale, duke ngjallur reagime dhe indinjatë të ashpër ndaj lojtarit.

Shumë nga mediat ndërkombëtare, si BBC, The Guardian dhe New York Times, u detyruan të korrigjojnë raportimet fillestare, pasi trajneri i Izraelit, Ran Ben Shimon konfirmoi se gjesti ishte një festim i zakonshëm që imiton një goditje bilardoje.

Më poshtë, shënimi i korrigjimit të The Guardian, i cili e fshiu pretendimin për gjestin e armës së zjarrit:

Shënimi i korrigjimit të The Guardian

Në momentin e shkrimit, mediat vendase, si shqiptarja.com, Euronews Albania, digitalb, Gazeta Express etj, ende nuk e kanë pasqyruar këtë korrigjim, siç mund të shihet në fotot më poshtë:

Kolazh i titujve të mediave vendase që raportuan gabimisht për gjestin e lojtarit

Çfarë gjetëm

1.Festimi me një gjest bilardoje, jo armë zjarri

Gjesti i lojtarit nuk kishte asnjë lidhje me armët. Lojtari ka publikuar edhe më herët në rrjetet e tij sociale foto me të njëjtin festim. Foto e publikuar nga Saied Abu Farchi në rrjetet sociale

2.Gabimi i arbitrit

Konfuzioni nisi në fushën e blertë. Sipas The Telegraph, në raportin e arbitrit të ndeshjes, thuhet se gjyqtari bullgar Georgi Kabakov e keqkuptoi gjestin e lojtarit si shkrepje arme dhe e ndëshkoi atë.

3.Korrigjimi i lajmit nga mediat ndërkombëtare

Pasi pamjet e përsëritura treguan qartë se lojtari po imitonte lëvizjen e një shkopi bilardoje, dhe pas prononcimit të trajnerit të Izraelit, mediat u detyruan të korrigjojnë raportimte fillestare.


Analiza

Rasti i Saied Abu Farchi është një leksion klasik mbi rrezikun e gazetarisë së nxituar, veçanërisht kur përfshihen figura nga rajone me tensione të larta politike.

Media si The Guardian, që zakonisht krenohen me standarde të larta verifikimi, ranë pre e paragjykimeve të momentit. Në vend që të analizonin pamjet në detaje apo të kërkonin një reagim nga stafi i lojtarit, ato e morën interpretimin e gabuar të arbitrit si fakt absolut.

Ky zinxhir moskokëçarjeje prodhoi më pas çinformim global, duke prekur dhe mediat vendase.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Prisni deklaratat pas ndeshjes:

Në raste të gjesteve kontroverse në sport, versioni i parë i ngjarjeve shpesh nuk është gjithmonë i sakti. Prisni konferencat për shtyp apo reagimet e lojtarëve.

  • Kërkoni pamje nga kënde të tjera:

Një gjest që nga mbrapa ngjan si armë, nga përpara duket qartësisht si një gjuajtje bilardoje. Pamjet vizuale duhen analizuar në 360 gradë.

  • Lexoni përditësimet e artikujve:

Mediat serioze i përditësojnë artikujt e tyre duke vendosur një shënim në fund ose në krye të tekstit.


Verdikti

Pamjet vizuale dhe konfirmimet zyrtare tregojnë se lojtari izraelit po bënte një festim që imitonte lojën e bilardos. Ngjarja në fushë ndodhi vërtet (lojtari përdori flamurin dhe u ndëshkua), por domethënia e gjestit të tij u shkëput nga konteksti. Si pasojë, këtij pretendimi i japim verdiktin: Kontekst i mangët.


Klasifikimi

Ky incident klasifikohet si çinformim. Pretendim i nxjerrë nga konteksti dhe i publikuar pa verifikimin e duhur nga mediat vendase, pa qëllim mashtrimi, por me pasoja çinformuese për publikun.