Çfarë pretendonte lajmi

Më 4 qershor 2026, disa portale shqiptare, duke përfshirë këtu shqiptarja.com dhe ABC News, publikuan një lajm të shoqëruar me video, duke pretenduar për një “tornado” në bregdetin e Ksamilit.


Çfarë gjetëm

1..Përdorim i qëllimshëm i termave alarmistë

Fjala “tornado” mbart një ngarkesë të fortë emocionale, nënkupton një shkallë të lartë rreziku. Duke zëvendësuar termin e saktë me këtë term alarmist, titulli jep përshtypjen se manipulon faktet për të gjeneruar klikime përmes frikës.

2..Pasaktësi meteorologjike

Meteorologjikisht, një fenomen i tillë nuk klasifikohet si një tornado. Bëhet fjalë për një “trumbetë ujore” (ose vorbull detare), një fenomen relativisht i zakonshëm mbi sipërfaqen e detit dhe shumë herë më pak i rrezikshëm. Ndërsa tornadot formohen zakonisht në tokë dhe kanë pasoja shkatërruese.

3..Kontradiktë e hapur brenda vetë tekstit

Autori i lajmit duket se luan qëllimisht me terminologjinë për të ndryshuar perceptimin e lexuesit. Titulli flet për tornado, ndërsa paragrafi i fundit i lajmit pranon se bëhet fjalë për vorbulla detare “që ngjajnë me tornado”, duke zbuluar kështu natyrën clickbait të artikullit.


Analiza: Pse ndodh kjo?

Videoja është vërtet autentike dhe tregon një fenomen real atmosferik në det. Megjithatë, problemi qëndron tek ekzagjerimi semantik. Duke e zëvendësuar termin e saktë me fjalën alarmante “tornado”, lajmi synon të tjetërsojë një raportim të thjeshtë meteorologjik në një ngjarje sensacionale, me qëllim që të nxisë lexuesin të klikojë pa u menduar gjatë.

Një titull i saktë si “Trumbetë ujore e padëmshme në det të hapur” natyrisht gjeneron më pak kureshtje. Përmes përdorimit të fjalës “tornado”, portalet tentojnë të maksimizojnë trafikun e tyre online. Lexuesit tentohet t’i shitet sensacion, duke lënë në plan të dytë saktësinë e raportimit.

Si ta dallosh herën tjetër

  • Lexo përtej titullit:

Titujt bombastikë shkruhen për të manipuluar emocionet e lexuesit. Lexo tekstin deri në fund, pasi shpesh (si në këtë rast) vetë përmbajtja i hedh poshtë pretendimet e titullit.

  • Kushtoji vëmendje kontradiktave:

Nëse titulli flet për “tornado” ndërsa teksti thekson se “nuk ka pasur rrezik të drejtpërdrejtë për pushuesit”, gjasat janë të jesh duke lexuar një lajm manipulues.

  • Krahaso me burime të tjera:

Kërko nëse ngjarja konfirmohet nga media të tjera apo nga kanalet zyrtare të shërbimeve meteorologjike.


Verdikti

Videoja që qarkullon në rrjet tregon një fenomen të vërtetë atmosferik, por titulli i lajmit ka elementet e clickbait. Autori ka zëvendësuar termin e saktë dhe të padëmshëm “trumbetë ujore” me fjalën alarmante “tornado” për të gjeneruar klikime. Për shkak të këtij ekzagjerimi të qëllimshëm, këtij lajmi i japim verdiktin: Manipulues.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si keqinformim. Fenomeni atmosferik dhe videoja janë të vërteta, por termi “trumbetë ujore” zëvendësohet qëllimisht me “tornado” me synim për të gjeneruar klikime.