Çfarë pretendohet
Ditët e fundit, faqe të ndryshme në rrjetet sociale, si Zëri, publik.al, zgjidhshqip dhe portale lokale, si BLU TV, durres.citty kanë shpërndarë një video me përmbajtje të rëndë. Në video shihet një person i veshur me uniformë të ngjashme me atë të Wolt, i cili jashtëqit brenda hapësirave të përbashkëta të një godine.




Postimet shoqërohen me tituj alarmues dhe indinjues duke shkaktuar një valë komentesh negative dhe gjuhë urrejtjeje ndaj emigrantëve të huaj që punojnë në vendin tonë.
Faqja e durres.citty shkon dhe më tej, duke bashkangjitur foton më poshtë, të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, si për të ilustruar skenën e videos.

Çfarë gjetëm
1.Video e shatorit 2025
Përmes Reverse Image Search të Google, zbuluam se e njëjta video ka qarkulluar në rrjetet sociale Gjeorgjiane që prej shtatorit të vitit të shkuar.
2.Vula kohore e kamerave të sigurisë
Në një ekzaminim më të afërt të pamjeve të kamerës së sigurisë, shifra e vulës kohore në cep të ekranit tregon datën 2025-09-22. Kjo provon se pamjet nuk i përkasin ditëve të fundit.

3.Raportime me vendndodhje kontradiktore
Një detaj që e demaskon pavërtetësinë e këtij lajmi është mospërputhja e raportimeve. Disa faqe pretendojnë se ngjarja ka ndodhur “në një pallat në Tiranë”, ndërsa faqe të tjera e lokalizojnë të njëjtën video “në Durrës”.
Analiza
Indinjata e një viti më parë në Gjeorgji, edhe pse kurrë nuk u verifikua nëse ngjarja kishte ndodhur në Tbilisi, u riciklua në Shqipëri për të ushqyer narrativat ksenofobe kundër punëtorëve të huaj në vend.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Verifikoni vulën kohore (Timestamp):
Gjithmonë shikoni me kujdes numrat në cepat e videove të kamerave të sigurisë.
- Bëni Screenshot dhe kërkoni në Google Lens:
Mjafton një screenshot nga video për të gjetur nëse ajo ka qarkulluar muaj apo vite më parë në gjuhë të tjera.
- Vëreni ndryshimin e vendndodhjes:
Nëse shihni të njëjtën video virale ku një faqe thotë “ndodhi në Astir” dhe tjetra “ndodhi në Durrës”, gjasat janë të jeni përballë një lajmi të rremë.
Verdikti
Videoja e shpërndarë nga llogaritë në fjalë është të paktën 1 vit e vjetër dhe marrë nga rrjetet sociale gjeorgjiane. Për këtë arsye, pretendimit i japim verdiktin: I Rremë.
Klasifikimi
Rasti klasifikohet si çinformim. Denoncim i paverifikuar që u shpërnda nga mediat shqiptare me gjasa pa qëllim mashtrimi, por me pasoja çinformuese për publikun dhe denigruese për punëtorët e huaj në vend.