Çfarë u raportua

Më 5 Tetor 2026, një mori portalesh shqiptare, duke përfshirë BalkanWeb, Lapsi.al, Syri.net, VoxNews.al, Shqiptarja.com, publikuan lajme me tituj bombastikë rreth një “skandali” në Kalanë e Libohovës.

Kolazh i lajmeve të portaleve shqiptare mbi "skandalin e Kalasë së Libohovës"

Ato raportuan se një tabelë informuese e vendosur për të promovuar historinë e kalasë te turistët, përmbante një kod QR i cili drejtonte vizitorët drejt faqeve pornografike. Pas këtij denoncimi publik, kodi QR u hoq nga tabela.


Çfarë gjetëm

1.Origjina e kodit QR

Kodi QR i pozicionuar në tabelë ruan një link (URL) të thjeshtë pa shkurtues: www.hamletonsite.eu. Ky domen i përkiste projektit HAMLET (Highlighting Artisanal Manufacturing, cuLture and Eco Tourism), një projekt rajonal i financuar me €829,430 nga programi i Bashkimit Evropian, Interreg IPA CBC Italy-Albania-Montenegro (2018-2020).

Faqja, një katalog turistik i mbajtur deri rreth vitit 2025, ka qenë funksionale, siç e tregon ky regjistrim i arkivuar në Wayback Machine. Pamje e faqes së arkivuar të projektit HAMLET

2.Domen i skaduar, jo hakerim

Portalet, duke cituar autoritetet, aluduan se faqja mund të ishte hakeruar. Ajo që ndodhi është procesi klasik i skadimit të domenit. Projekti mbaroi në vitin 2020 dhe pas disa vitesh askush nuk rinovoi pagesën për domenin hamletonsite.eu.

3.Katapultimi te faqet me reklama

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, domeni rezulton i nxjerrë në shitje për €700 në platformën Sedo.

Pamje e faqes së Sedo për domenin hamletonsite.eu

Megjithatë, kur skanon kodin me celular, ndodh ajo që quhet ad-tracking redirect dhe shpesh, rrjetet e automatizuara të reklamave u shfaqin përdoruesve faqe lojërash fati, baste, apo dhe faqe me përmbajtje për të rritur.


Analiza

Ky rast nxjerr në pah problemin kronik të medias shqiptare, pra zëvendësimin e investigimit elementar me tituj sensacionalë për të thithur klikime të shpejta.

Në vend që redaksitë të bënin verifkimet dhe të informonin publikun se çfarë po ndodhte vërtetë, ato iu bashkohen karvanit të titujve bombastikë.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Kodet QR të vjetër:

Kini parasysh se shumë kode QR të vendosura në tabela informuese mund të jenë të vjetra dhe mund t’ju çojnë në domene të skaduara. Nëse një kod QR ju çon në një faqe që duket e dyshimtë, raportojeni te përgjegjësit e projektit.

  • Dalloni lajmet e ricikluara “Copy-Paste”:

Kur dhjetëra portale përdorin të njëjtat fjali, të njëjtat foto dhe nuk sjellin asnjë detaj të ri rreth ngjarjes, jeni përballë një riciklimi klikimesh dhe jo një raportimi të mirëfilltë profesional.


Verdikti

Domeni i projektit hamletonsite.eu ka skaduar dhe është uzurpuar nga trafiku i rrjeteve automatike të reklamave. Në lajmet e portaleve shqiptare, ky kontekst është lënë jashtë. Për këtë arsye, këtyre raportimeve u jepet verdikti: Kontekst i Mangët.