Çfarë u raportua
Ditët e fundit, në rrjetet sociale dhe më pas në mediat online shqiptare si Dosja.al dhe Noa.al, ka qarkulluar një fotografi ku miliarderi amerikan dhe themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, shfaqet me flokë, krejt ndryshe nga imazhi i tij ikonik prej vitesh.

Artikujt e publikuar në Shqipëri përcjellin pretendimin e rrjetit se Bezos ka kryer një “transplant flokësh në Turqi”. Për të qenë të kujdesshme, redaksitë shtojnë në fund të lajmit se “autenticiteti i fotografive nuk është verifikuar” dhe se “mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për fotografi reale apo për një tjetër manipulim digjital me inteligjencë artificiale”.
Çfarë gjetëm
1.Fotoja origjinale i përket vitit 2023
Një kërkim i anasjelltë i imazhit nxjerr menjëherë burimin e vërtetë. Fotografia origjinale është publikuar më 20 dhjetor 2023 nga faqja amerikane Page Six. Në foton reale të vitit 2023, Bezos mban të njëjtën veshje dhe ka të njëjtën shprehi fytyre, por është plotësisht pa flokë.

Po ashtu, fotografitë e tij të fundit publike (shtator–tetor 2026) dëshmojnë se ai nuk ka bërë asnjë ndërhyrje të tillë.
2.Konfirmimi nga Sightengine
Një kontroll në SightEngine tregon se fotografia e Jeff Bezos me flokë është e modifikuar me Inteligjencë Artificiale.

Analiza
Ky rast nxjerr në pah taktikën cinike të portaleve shqiptare përballë epokës së Inteligjencës Artificiale: përdorimin e dyshimit si justifikim për të mos bërë punën.
Kur mediat e lartpërmendura shkruajnë se “pretendimi nuk është konfirmuar” dhe se “mbetet e paqartë nëse është AI”, ato mendojnë se po tregohen profesionale dhe të rezervuara. Në të vërtetë, kjo s’është gjë tjetër veçse përtaci redaksionale.
Detyra e një gazetari nuk është të marrë një gënjeshtër nga interneti, t’ia kalojë publikut për të vjelë klikimet e titullit, dhe në fund të ngrejë supet me frazën “mbetet e paqartë”. Detyra e një gazetari është të verifikojë informacionin dhe të mos e publikojë atë nëse nuk ka prova.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Bëjeni vetë verifikimin që përtuan të bëjnë portalet:
Përdorni Google Lens, pjesë e mjeteve tona. Në pak sekonda, do të gjeni origjinalin e imazhit dhe do të kuptoni nëse është i modifikuar apo jo.
- Përdorni detektorët falas:
Faqe si Sightengine janë të hapura për këdo dhe ju tregojnë në çast nëse një foto ka ndërhyrje sintetike. Pjesë e mjeteve tona.
Verdikti
Fotoja e Jeff Bezos me flokë është modifikuar nga një fotografi e dhjetorit 2023 me anë të Inteligjencës Artificiale. Për këtë arsye, raportimit të mediave shqiptare që e përcjellin si të paqartë vërtetësinë e saj, i japim verdiktin: Manipulues.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si dezinformim. Publikimi i imazheve sintetike duke i lënë lexuesit në mjegull mbi vërtetësinë e tyre për qëllim klikimesh, kur mjetet e verifikimit janë lehtësisht të aksesueshme.