Çfarë u raportua
Më 22 gusht 2026, pamjet e një zjarri në Vlorë u shpërndanë në disa gjuhë nëpër rrjete sociale me pretendimin se ‘ushtarët e IDF-së dogjën një pallat për hakmarrje’. Pretendimi ishte bazuar në një postim satirik të profilit @ParodyJeff në X.

Çfarë gjetëm
1.Objekti i përfshirë nga flakët ishte një kabinë ujësjellësi, jo pallat apo Airbnb
Videoja është xhiruar më 11 gusht 2026 në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Ndërtesa që digjet nuk është apartament Airbnb, por një kabinë e ujësjellësit. Zjarri nisi nga shkurret në pjesën kodrinore dhe u përhap drejt kabinës, ngjarje kjo e dokumentuar gjerësisht nga mediat shqiptare në kohë reale.

2.Origjina: Një profil satirik në platformën X
Historia me ushtarët e IDF-së u krijua fillimisht nga llogaria @ParodyJeff në rrjetin social X. Në përshkrimin e vet zyrtar, ky profil deklaron qartë se publikon “përmbajtje fiktive, opinione dhe satirë”.

3.Shndërrimi i satirës në çinformim ndërkombëtar
Problem lindi kur përdorues të tjerë e morën tekstin satirik me pamjet reale nga Vlora dhe e ripublikuan atë si lajm të mirëqenë. Brenda pak orësh, historia fiktive u përdor për të ushqyer narrativat antisemite në rrjet.
Analiza
Llogaria origjinale @ParodyJeff e shfrytëzoi videon e zjarrit në Vlorë për të sajuar një histori me ngarkesë të fortë satirike/politike. Përdoruesit me sa duket e përhapën atë pa kuptuar satirën dhe pa bërë asnjë verifikim, duke ushqyer më tej narrativat antisemite në rrjet.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Kontrolloni përshkrimin e llogarisë burimore:
Gjeni llogarinë nga buron postimi origjinal dhe lexoni përshkrimin e saj. Shpesh, postimet satirike përhapen nga përdoruesit e tjerë si të vërteta.
- Verifikoni me mediat vendase:
Mungesa e çdo raportimi nga mediat shqiptare për “izraelitë apo Airbnb të djegura” është shenjë e qartë që kemi të bëjmë me një trillim.
Verdikti
Videoja tregon një zjarr që ka mbërritur deri në një kabinë ujësjellësi. Historia me hakmarrje të ushtarëve të IDF-së u shpik nga një profil satirik në rrjetin social X dhe u përhap nga përdorues të tjerë pa u verifikuar. Për këtë arsye, këtyre raportimeve i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje e rreme që u shpërnda nga përdoruesit pa verifikim, me pasojë nxitjen e antisemitizmit në rrjet.