Çfarë u raportua
Shumë media vendase, përfshi këtu Top Channel, Euronews Albania, TV Klan, shqiptarja.com, ABC News, duke cituar kryeministrin Rama, raportuan se Shqipëria zuri vendin parë në botë për sigurinë kibernetike.
Gjuha e përdorur në deklaratën e cituar jep përshtypjen se Shqipëria është kthyer në një superfuqi teknologjike që ka ngritur një mur të pakapërcyeshëm kundër sulmeve kibernetike. Po ashtu, pretendohet se ky vlerësim dëshmon përparësinë e Shqipërisë në përdorimin e Inteligjencës Artificiale.
Çfarë gjetëm
1.NCSI mat burokracinë, jo rezistencën teknike
NCSI nuk është një test teknik që provon se infrastruktura shqiptare është më rezistente apo më e sigurt se ajo e vendeve të tjera në listë. Ky indeks mat ekskluzivisht ngritjen e kapaciteteve institucionale: miratimin e ligjeve, strategjive, ngritjen e strukturave të reagimit dhe programeve të edukimit. Pra, matja bëhet mbi përmbushjen e kritereve në letër, jo përmes testimit të drejtpërdrejtë të sistemeve përballë një sulmi real.
2.Kontrasti i thellë me indekset e tjera
Për të kuptuar pozicionin e vërtetë teknologjik të një shteti, duhen parë disa treguesë të tjerë.
Në Network Readiness Index (gatishmëria dhe aftësia për të përdorur teknologjinë), Shqipëria renditet e 84-ta.
Në E-Government Development Index, Shqipëria është në vendin e 62-të.
Në Global Cybersecurity Index, vendi ynë është në “Tier 2”, ndërsa SHBA në “Tier 1”.

Kjo diferencë nuk do të thotë se rezultati i NCSI-së është i gabuar, por vërteton se ky indeks tregon vetëm dimensionin legjislativ të sigurisë, jo fuqinë e vërtetë teknologjike.
3.Inteligjenca Artificiale nuk është pjesë e metodologjisë
Pretendimi se pozicioni në këtë indeks tregon që Shqipëria është në vendin e parë në Evropë për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në mbrojtjen kibernetike, është i pabazuar. Indeksi NCSI nuk e vlerëson dhe as nuk e certifikon asgjëkundi këtë element metodologjik.
Analiza: Si ndërtohet propaganda mbi gjysmë të vërteta
Problemi thelbësor i propagandës shpesh nuk janë faktet e fabrikuara apo të rreme, por shkëputja e një fakti nga konteksti dhe zmadhimi i tij sipas nevojës.
Shqipëria padyshim ka marrë masa, ka investuar dhe ka përmirësuar kuadrin e saj institucional për sigurinë kibernetike pas sulmeve të vitit 2022. Kjo është një arritje që duhet njohur. Por të marrësh këtë arritje në letër në një pretendim sikur sistemet tona janë më të mbrojtura dhe më të sofistikuara teknologjikisht se vendet që kanë dekada investimesh qindra miliarda dollarëshe, kalon në kufijtë e manipulimit politik. Fuqia reale matet në praktikë, përmes transparencës së auditimeve të pavarura, kohës së reagimit ndaj incidenteve dhe kapacitetit për të mbrojtur të dhënat nga daljet në shitje.
Së fundmi, mënyra e mbledhjes së të dhënave gjithashtu ka peshë. Sipas publikimit, përditësimet e vitit 2026 për Shqipërinë janë siguruar nga zyrtarët qeveritarë, ndërkohë që për SHBA-në burimi është mbështetur në grumbullimin e të dhënave publike.
Verdikti
Rezultati prej 98.33 pikësh është real brenda kritereve burokratike të atij indeksi specifik, por nuk e bën Shqipërinë “shtetin e parë në botë” për sigurinë e sistemeve kibernetike. Për këtë arsye, këtij raportimi i japim verdiktin: Kontekst i Mangët.
Klasifikimi
Rasti klasifikohet si çinformim. Mediat cituan fjalët e Kryeministrit, duke përhapur pa dashur çinformim për sa i përket sigurisë kibernetike.