Çfarë raportuan mediat shqiptare

Në qershor të vitit 2026, Evropa u përfshi nga një valë e nxehti ekstrem, me temperatura që shkuan deri në 41°C. Gjatë kësaj situate, në rrjet u bënë virale disa pamje ku pretendohej se semaforët rrugorë ishin shkrirë nga vapa. Pamjet u pasqyruan edhe nga mediat shqiptare, të cilat i shpërndanë pa kryer verifikimet paraprake.


Çfarë gjetëm

1..Rasti i Italisë: Semafori në Lugagnano u shkri nga djegia e një makine

Pamjet e semaforit që u bënë virale në Itali, e që u krahasua në rrjetet sociale me pikturat e Salvador Dalisë, i përket një kryqëzimi në Lugagnano (Verona). Media lokale Il Baco da Seta zbuloi të vërtetën pas ngjarjes. Më 23 qershor 2026, një makinë mori flakë poshtë atij semafori. Ishte nxehtësia ekstreme e zjarrit të mjetit ajo që shkriu plastikën dhe jo vapa.

2..Rasti i Gjermanisë: Semafori në Berlin ishte dëmtuar në vitin 2025

Në Berlin, një video e ngjashme pretendonte se një semafor qe shkrirë nga nxehtësia rekord prej 39.9°C në fund të qershorit. Agjencia gjermane e lajmeve dpa zbuloi se ky semafor, i ndodhur në zonën Friedrichshain, ishte dëmtuar plot një vit më parë, në qershor të vitit 2025, si pasojë e një zjarri të rënë në një klub nate ngjitur me rrugën.

Për më tepër, kompania përgjegjëse për semaforët në Berlin (InfraSignal) deklaroi zyrtarisht: “Nuk njohim asnjë rast ku semaforët pësojnë dëmtime të tilla në temperaturën 40°C”.


Analiza

Situatat e klimës ekstreme i bëjnë njerëzit më të prirur të besojnë ekzagjerime të tilla. Një semafor i shkrirë funksionon si “metaforë vizuale” e përsosur për atë që vetë qytetarët ndiejnë në lëkurën e tyre.

Portalet e lajmeve me sa duket i marrin pamjet nga llogari të huaja në X ose TikTok dhe i përkthejnë pa bërë qoftë edhe pyetjen më bazike: Nëse plastika e semaforëve shkrihet në 40°C, si ka mundësi që nuk shkrihen të gjithë semaforët e tjerë në të njëjtin qytet, apo makinat, dritaret dhe koshat e mbeturinave?

I nxehti ekstrem solli probleme reale në Evropë, si deformimi i ziftit të rrugëve apo i shinave të tramvajit në disa qytete gjermane, por nuk ka arritur ende të shkrijë semaforët.


Si ta dallosh herën tjetër

  • Kërko lajmet e mediave të atij qyteti:

Mediat lokale (si në rastin e Veronës) janë gjithmonë të parat që raportojnë ngjarje si aksidentet. Nëse raportimi i mediave shqiptare nuk të bind, kontrollo çfarë shkruajnë gazetarët që jetojnë në atë qytet.

  • Kujdes nga riciklimi i videove:

Shumë video të zjarreve ose dëmtimeve të vjetra (si rasti i Berlinit nga viti 2025) rishpërndahen në internet për të gjeneruar klikime. Edhe në këtë rast, një kërkim i thjeshtë në Google me fjalët kyçe të ngjarjes mund të zbulojë se pamjet janë të vjetra dhe nuk kanë lidhje me temperaturat rekord të këtij viti.


Verdikti

Raportimet se semaforët në Itali dhe Gjermani janë shkrirë si pasojë e temperaturave të larta të verës janë të pavërteta. Pamjet vizuale janë reale, por ato tregojnë dëmtime të shkaktuara nga zjarre specifike mjetesh dhe ndërtesash, ku njëra prej ngjarjeve ka ndodhur madje një vit më parë. Për shkak të keqpërdorimit të pamjeve dhe vendosjes së tyre në një kontekst alarmant, këtij lajmi i japim verdiktin: I rremë.

Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje e rreme që u shpërnda nga mediat shqiptare pa verifikim, pa qëllim mashtrimi, por me pasoja reale dezinformuese për publikun.