Çfarë raportoi media

Më 2 korrik 2026, faqet online të JOQ Albania dhe Gazeta Metro publikuan lajmin me titujt si më poshtë:

Screenshot nga lajmi i JOQ Albania

Screenshot nga lajmi i Gazeta Metro

Sipas tyre, një pronar shtëpie në Indonezi, i lodhur nga vjedhjet e vazhdueshme dhe mosveprimi i policisë, u ngriti një kurth katër personave që kishin hyrë natën në oborrin e tij. Artikulli thekson se burri i lidhi hajdutët me nastro duke u lënë zbuluar vetëm sytë dhe hundën, për t’i bërë të ngjanin si Teletubbies. Ai i filmoi për t’i poshtëruar publikisht dhe më pas i dorëzoi në polici.

Lajmi ngjalli menjëherë reagime, ku shumë komentues përgëzonin pronarin e shtëpisë ndërsa të tjerët e cilësonin si ndëshkim të ekzagjeruar.


Çfarë gjetëm

1..Nuk janë hajdutë, por YouTubers

Pamjet janët reale, por historia pas tyre është krejtësisht e sajuar. Media indoneziane Detik News ka zbardhur të vërtetën pas tyre. Personat e lidhur me ngjitës nuk janë kriminelë, por anëtarë të një grupi të quajtur “Batre TV”, një kanal në YouTube nga qyteti i Malangut në Javën Lindore, të cilët prodhojnë video humoristike.

2..Një sfidë gjatë një transmetimi 'Live'

Videoja u xhirua gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë (live stream). Njëri nga YouTuberat pranoi të mbështillej me nastro në sajë të një “sfide” të kërkuar nga ndjekësit e tyre. Nuk ka pasur asnjë vjedhje, asnjë pronar të zemëruar dhe asnjë ndërhyrje të policisë.

3..Shpërndarja e videos dhe sajimi i historisë

Sipas vetë YouTuberave, pjesë nga transmetimi i tyre live u morën pa leje nga disa llogari të tjera në Instagram, të cilat i bashkëngjitën videos një narrativë të trilluar rreth “hajdutëve të kapur” për ta bërë atë më tërheqëse dhe virale. Kjo narrativë e rreme u përkthye më pas edhe në gjuhën shqipe nga JOQ Albania dhe Gazeta Metro.


Analiza

Kjo nuk është hera e parë që mediat sociale marrin pamje absurde (humor, sfida në internet) dhe i shpërndajnë ato si lajme të vërteta, pa bërë verifikimet e nevojshme.

Historia e “qytetarit të thjeshtë që mposht hajdutët pasi policia nuk e ndihmon” është një klishe e preferuar në internet. Ajo ngjall emocione të forta: nga njëra anë ndjenjën e zhgënjimit ndaj autoriteteve, dhe nga ana tjetër ndjesinë e drejtësisë së vënë në vend kur shohim kriminelët të poshtërohen në mënyra kreative.


Si ta dallosh herën tjetër

  • Përdorni logjikën:

Mbështjellja e një njeriu tërësisht me shirit ngjitës duke lënë vetëm flegrat e hundës zbuluar, mbart rrezik asfiksimi. Nëse kjo do ishte një ngjarje e vërtetë, me shumë gjasa policia do ta kishte arrestuar pronarin e shtëpisë për torturë.

  • Gjeni burimin origjinal:

Një kërkim i fotos në Google (Reverse Image Search) të çon shumë shpejt te burimi origjinal dhe ngjarja e vërtetë pas pamjeve.

  • Kërkoni raportimet nga media serioze lokale:

Nëse lajmi ndodh në Indonezi, a ka ndonjë media serioze që e ka raportuar? Në këtë rast, mediat serioze po raportonin të kundërtën: faktin që videoja ishte e rreme.


Verdikti

Pretendimi se videoja tregon hajdutë të lidhur me ngjitës nga një pronar shtëpie për t’i bërë të duken si “Teletubbies” nuk është i vertetë. Edhe pse pamjet janë reale, ato janë shkëputur nga konteksti dhe janë shpërndarë bashkangjitur me një histori të sajuar. Si rrjedhojë, këtij lajmi i japim verdiktin: I rremë.

Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje e rreme që u shpërnda nga mediat shqiptare pa verifikim, pa qëllim mashtrimi, por me pasoja çinformuese për publikun.