Çfarë u raportua

Pas bërjes virale të pamjeve ku 21-vjeçari Muhamet Skana u përplas në asfalt nga një efektiv policie gjatë protestave në Tiranë, në emisionin televiziv Aldo Morning Show të datës 17 tetor 2026 një grua në linjë telefonike u prezantua si nëna e të riut dhe deklaroi se djali i saj nuk ishte student dhe se ai ishte paguar për të marrë pjesë në protestë.

Screenshot nga telefonata në Aldo Morning Show

Për më tepër, “nëna” në telefon garantoi publikun se i riu gëzonte shëndet të plotë, nuk kishte përfunduar në Spitalin e Traumës dhe se ajo vetë i dënonte aktet e dhunës. Kjo deklaratë, e cila përputhej me deklaratat e kryeministrit Edi Rama mbi “protestuesit e paguar”, u mor menjëherë dhe u shpërnda me bujë si fakt i kryer nga media si Gazeta Tema.

Screenshot i lajmit në Gazeta Tema


Çfarë gjetëm

1.Telefonuesja nuk ishte nëna e Muhamet Skanës

Menjëherë pas përhapjes së lajmit, motra e Muhamet Skanës përgënjeshtroi për faktoje.al, duke sqaruar se gruaja që foli në televizion nuk ishte nëna e tyre. E vënë përballë fakteve, telefonuesja (e identifikuar më vonë si Malvina Sula) u detyrua të rishfaqej në emision, duke u justifikuar se kishte bërë një “ngatërresë” dhe se e kishte fjalën për një të ri tjetër që ndodhej pranë Muhametit në protestë.

2.Sinkronizimi me propagandën politike

Telefonata preku çdo pikë që pushteti gjithashtu përdor si argumente kundër protestës. Ajo tha se i riu nuk është student, tha se u pagua me lekë për të dalë aty, tha se ishte mirë me shëndet dhe dënoi “djegien e vendit”. Ky sinkronizim me retorikën zyrtare të qeverisë ngre pikëpyetje mbi “ngatërresën” e supozuar të telefonueses.


Analiza

Duke lënë mënjanë mungesën e filtrave verifikues për identitetin e telefonueses në një televizion kombëtar, mënyra se si disa media, si Gazeta Tema, e kthyen këtë telefonatë në kryelajm është mbase shkelja më e rëndë. Këto media nuk bënë asnjë përpjekje për të kontaktuar Spitalin e Traumës apo familjen Skana për të pyetur nëse djali kishte vërtet frakturë në shtyllën kurrizore. Në këtë rast, media u bë bashkëpunëtore aktive në fshehjen e dhunës shtetërore.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Mos u besoni “telefonatave të qytetarëve” si fakte:

Linjat e lira telefonike në emisionet e mëngjesit apo pasdites nuk janë burime të verifikuara informacioni. Ato shpesh përdoren nga militantë për të hedhur helm në opinionin publik pa mbajtur përgjegjësi ligjore.

  • Vëreni kur një dëshmi konfirmon narrativën e pushtetit:

Kur një deklaratë anonime konfirmon brenda pak sekondave të gjitha akuzat që qeveria bën në drejtim të protestuesve, jini skeptikë.

  • Kërkoni dokumentacionin mjekësor dhe zërin e familjes:

Kur ka pretendime kontradiktore mbi shëndetin e një personi të dhunuar publikisht, e vërteta gjendet te kartela mjekësore dhe deklaratat me fytyrë e emër të familjarëve të vërtetë.


Verdikti

Gruaja që telefonoi në emision nuk ishte nëna e Muhamet Skanës, ndërsa 21-vjeçari ndodhej në spital me dëmtime të rënda në kafkë dhe në shtyllën kurrizore. Për këtë arsye, këtij pretendimi i japim verdiktin: “I Rremë.”


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Dezinformim. Përdorimi i pretendimeve të një telefonueseje të panjohur për të deligjitimuar protestën.