Çfarë pretendonte lajmi

Më 2 qershior 2026, një sërë portalesh, duke përfshirë dhe Top Channel, publikuan lajmin se një gjarpër i madh po tmerronte qytetin e Fierit.

Pamje e zvarranikut në rrugët e Fierit, i njohur si bullar

Sipas raportimit, prania e këtij “gjarpri” në zonën e qendrës, pranë lumit, shkaktoi panik të madh te kalimtarët, të cilët u larguan të frikësuar. Ndonëse vetë teksti i lajmit theksonte kalimthi se “bëhet fjalë për një lloj gjarpri jo agresiv”, titulli i lajmit aludonte për një rrezik të madh (“tmerron qytetarët”, “gjarpër gjigant”).


Çfarë gjetëm

1. Nuk është gjarpër, por hardhucë pa këmbë

I ftuar në emisionin e mëngjesit në Vizion Plus, herpetologu Enerit Saçdanaku sqaroi se zvarraniku nuk është një gjarpër, por një bullar. Biologjikisht, ai i përket familjes së hardhucave (Anguidae).

2. Zvarranik tërësisht i padëmshëm, madje i dobishëm

Ndryshe nga sa sugjeron titulli alarmant, bullari është një krijesë krejt e padëmshme për njeriun. Ata nuk janë agresivë dhe nuk kanë gjëndra helmi. Për më tepër, ushqehen kryesisht me kërmij, insekte dhe brejtës të vegjël, duke qenë shumë të dobishëm për ekosistemin lokal.

3. Nxitje e mundshme e panikut të panevojshëm

Përdorimi i termave si “gjarpër gjigant” dhe “tmerron qytetarët”, mund të nxisë panik të panevojshëm. Ky titull ka elementët e clickbait-it alarmist, ku zëvendësimi i emrit të saktë të një fenomeni natyror ose kafshe me një fjalë më të frikshme bëhet shpesh me synimin për të rritur klikimet.


Pse përdoret kjo taktikë

Në raste të tilla, portalet duket se shfrytëzojnë një fakt të vërtetë (praninë e një zvarraniku në qytet) dhe përpiqen ta “veshin” atë me një terminologji shkencërisht të pasaktë që ka tendencën të ngjallë frikë.

Ophidiophobia (frika nga gjarpërinjtë) është një nga fobitë më të përhapura njerëzore. Raportimi i një “gjarpri gjigant”, mund të nxisë një reagim të menjëhershëm emocional të lexuesit. Fatkeqësisht, ky lloj raportimi rrezikon të krijojë panik të pajustifikuar te qytetarët dhe mund të inkurajojë indirekt vrasjen e panevojshme të specieve të padëmshme dhe të dobishme si bullari.


Si ta dallosh herën tjetër

  • Kushtoji vëmendje detajeve fizike

Nëse hasni një zvarranik të tillë, diferenca kryesore mes bullarit dhe gjarprit është se bullari ka qepalla të lëvizshme (ata mund të mbyllin sytë, ndërsa gjarpërinjtë jo) dhe kanë vrima veshësh të dukshme në anët e kokës.

  • Filtro titujt emocionalë

Nëse një lajm për kafshë apo fenomene natyrore përdor fjalë si “Tmerr”, “Bishë”, “Gjigant”, ka shumë gjasa që ngjarja të jetë ekzagjeruar nga mediat në përpjekje për të marrë më shumë vëmendje.

  • Konsulto burime mjedisore

Përpara se të bini pre e panikut, informohuni nga organizata mjedisore lokale ose platforma identifikimi si iNaturalist, të cilat ofrojnë shpjegime të sakta shkencore mbi faunën urbane.


Verdikti

Zvarraniku i shfaqur në rrugët e Fierit ekziston dhe pamjet janë të vërteta, por ai nuk është një gjarpër dhe nuk përbën asnjë rrezik për banorët. Emërtimi i një hardhuce të padëmshme si “gjarpër gjigant” që “tmerron qytetarët” ngjan me një ekzagjerim që mediat duket se e përdorin për të prodhuar lajme sensacionale. Për shkak të këtij devijimi të së vërtetës, këtij lajmi i japim verdiktin Manipulues.