Çfarë u raportua

Gjatë ditëve të fundit, fotografitë e disa liderëve të Ballkanit të cilët kanë zhvilluar takime me Presidentin Trump, kanë marrë një kthesë të pazakontë në rrjetet sociale.

Në imazhet që po qarkullojnë, Trump shfaqet në pothuajse të njëjtin pozicion në çdo foto: me të njëjtën buzëqeshje, trup thuajse të palëvizshëm dhe me gishtin e madh të ngritur lart.

Kolazh i fotove të liderëve të Ballkanit me Trump

Kjo ngjashmëri ka mjaftuar për të ndezur një teori konspirative që u bë virale në të gjithë Ballkanin: A mos vallë liderët po pozonin me një figurë dylli apo një siluetë kartoni të presidentit amerikan?

Situata u përshkallëzua kur nisi të qarkullonte një foto e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke pozuar përkrah një “figure kartoni” të Donald Trump. Fotoja u shpërnda si e mirëqenë nga portali prime web në Instagram. Ndërsa uebsajt i Gazetës Dita e publikoi lajmin në formën e një pyetjeje.

Screenshot i postimeve

Çfarë gjetëm

1.Fotoja e Kurtit me Trump prej kartoni është e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale

Fotoja ku Albin Kurti shfaqet duke pozuar me një siluetë kartoni të Donald Trump është një imazh i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale.

Analiza e SightEngine për foton

Fotoja origjinale zyrtare tregon Kurtin me Presidentin Trump.

Fotoja origjinale e Kurtit me Trump

2.Qëndrimi statik i Trump rrëzohet nga fotoja e Milatoviç

Edhe pse qëndrimi i Trump në shumicën e fotove duket i ngrirë, ky është thjesht pozicioni i tij standard për fotot protokollare të shpejta. Ky fakt vërtetohet lehtësisht nga fotot e tjera, si ajo e publikuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ku Trump ka ndryshuar qëndrim. Fotoja e Milatoviç me Trump që tregon lëvizjen e presidentit

3.Përsëritja e teorisë konspirative 'Waxgate'

Nuk është hera e parë që qarkullon ky debat në rrjetet sociale. Në vitin 2025, një teori konspirative e njohur si “Waxgate” pretendonte se liderët e globit ishin takuar me një figurë prej dylli të presidentit Trump, dhe jo me të vërtetin. Pretendimi u hodh poshtë nga disa prej liderëve të përfshirë, por me sa duket pa shuar plotësisht dyshimet e publikut.


Analiza

Vështirë të kuptohet qëllimi i vërtetë i gjenerimit të fotos me Inteligjencë Artificiale. Ajo mund të ketë lindur si një shaka, apo si provokim politik. Megjithatë, çka është e qartë është se ky imazh ka ushqyer më tej teoritë konspirative dhe ka krijuar konfuzion tek publiku.

Në realitet, arsyeja pas qëndrimit uniform të presidentit Trump është protokollare. Pritja organizohet në formën e një zinxhiri për të përballuar radhën masive të dhjetëra dinjitarëve ndërkombëtarë. Për shkak të kohës së kufizuar, presidenti mban një pozicion fiks dhe buzëqeshje standarde, ndërkohë që liderët e tjerë hyjnë dhe dalin nga kuadri njëri pas tjetrit.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Poza zyrtare:

Liderët politikë botërorë takohen me dhjetëra krerë shtetesh brenda disa orëve në ngjarje të mëdha ndërkombëtare. Buzëqeshja “e ngrirë” dhe qëndrimi fiks është normë për të përballuar lodhjen e qindra fotografive radhazi.

  • Kini kujdes nga satira:

Kur shihni imazhe ku situata duket absurde, gjithmonë merrni parasysh se origjina e pamjes mund të jetë humoristike.

  • Kërkoni burimin fillestar:

Verifikoni gjithmonë profilet zyrtare të udhëheqësve ose qeverive përpara se të besoni versionet që qarkullojnë në rrjetet sociale pa autorë të qartë.


Verdikti

Qëndrimi i presidentit Trump është një pozë standarde fotografike, ndërsa fotoja që tregon Albin Kurtin përkrah një figure prej kartoni të presidentit është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale. Për këtë arsye, këtij raportimi i japim verdiktin: I Rremë


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si çinformim. Fotoja e rreme, që më shumë gjasa nisi si një meme në rrjetet sociale, u kthye pa dashje në një burim çinformimi për publikun.