Çfarë u shpërnda
Duke filluar nga 13 tetori 2026 dhe në ditët në vazhdim, Tirana u përfshi nga protesta të dhunshme, ku studentët dhe qytetarët kërkonin dorëheqjen e kreut të qeverisë. Kryeqyteti pa skena të rënda të dhunës policore, gaz lotsjellës dhe dëmtim të pronës publike e private.
Mes tensioneve reale të asaj dite, në platforma si Facebook, TikTok dhe Instagram u bënë virale disa foto tejet të rënda.

Mes tyre, një imazh tregonte të gjithë godinën e Bashkisë së Tiranës të pushtuar nga flakë të mëdha, ndërsa imazhi i dytë tregonte forcat e policisë duke sulmuar ashpër një person të shtrirë në tokë. Postimet i përshkruan këto si “pamje ekskluzive të fshehura nga mediat”.
Çfarë gjetëm
1.Konfirmimi nga SightEngine
Analiza e të dyja imazheve përmes platformës së specializuar për detektimin e përmbajtjeve sintetike, SightEngine, tregon një probabilitet prej 99% që ato janë krijuar ekskluzivisht nga Inteligjenca Artificiale.

2.Dëmtimi real vs. Spektakli i rremë
Gjatë protestës pati vërtet dëme të konsiderueshme materiale. Protestuesit thyen dyert dhe e i vunë flakën institucioneve si dhe bizneseve të ndryshme, të dokumentuara qartë nga mediat në terren.

Mirëpo, krijuesit morën incidentet reale, si mësymja në Bashkinë e Tiranës, dhe e kthyen në një spektakël, ku e gjithë godina po shkrumbohej. Ky ekzagjerim sintetik është krejt i panevojshëm dhe me gjasa i përdorur për klikime.
3.Pse gjenerohet dhunë policore që ekziston në të vërtetë?
Po ashtu, imazhi i policëve që godasin qytetarin në tokë është tërësisht sintetik. Megjithëse pati përplasje dhe dhunë barbare nga ana e forcave të rendit mbi protestuesit, skena specifike e shpërndarë në rrjetet sociale është e gjeneruar, me gjasa për të rritur klikimet përmes zemëratës.

Analiza
Ngjarjet e 13 tetorit kishin mjaftueshëm elemente tronditëse: të rinj të lënduar, prona të shkatërruara, dhe një reagim policor barbar. Pamjet reale nga telefonat e qytetarëve dhe kamerat e televizioneve tregonin një situatë tepër të rëndë. Pse atëherë dikush ulet në kompjuter dhe i kërkon një programi t’i gjenerojë “Bashkinë në flakë” dhe “policë që rrahin njerëz”?
Ky lloj fabrikimi është i rrezikshëm jo vetëm sepse gënjen publikun, por sepse zhvlerëson viktimat e vërteta. Kjo bën që nesër, kur një qytetar të publikojë një video të vërtetë të abuzimit policor, publiku të dyshojë dhe ta injorojë si foto të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.
Si ta dallosh herën tjetër?
-
Përdor mjetin tonë të verifikimit të imazheve: Nëse hasni një foto të dyshimtë, mund ta ngarkoni në mjetin tonë të verifikimit të imazheve për të parë nëse është e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.
-
Zmadhoni foton për detaje:
Imazhet sintetike nuk degradojnë kur i shikon nga afër. Vëzhgoni simbolet e policisë, fytyrat në sfond (që shpesh janë të shkrira ose të tmerrshme) dhe mënyrën se si sillen flakët, të cilat duken si pikturë vaji.
- Kujdes nga postimet që nxisin emocione të forta:
Në periudha trazirash dhe tensionesh sociale, armët më të mëdha të dezinformimit janë pamjet që kërkojnë t’ju bëjnë të reagoni impulsivisht nga inati apo frika.
Verdikti
Fotot në fjalë janë të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale. Për këtë arsye, këtyre postimeve u japim verdiktin: I Rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si dezinformim. Gjenerime të fotove sintetike për të nxitur klikimet nëpërmjet spektaklit, me pasoja dezinformuese për publikun.