Çfarë u raportua

Ditët e fundit, rrjetet sociale dhe mediat shqiptare u pushtuan nga një video e shkurtër prej 10 sekondash, ku shfaqet një foshnjë e porsalindur me mustaqe të dendura.

Në Shqipëri videoja u trajtua si lajm kurioziteti nga mediat dhe llogaritë e rrjeteve sociale, duke nxitur mijëra komente nga qytetarë që diskutonin shkakun e asaj.


Çfarë gjetëm

1.Burimi origjinal, faqe që publikon vazhdimisht video të njëjta

Gjurmimi i videos tregon se ajo u bë virale pasi u shkarkua dhe u ripublikua dhjetëra herë në TikTok, ku përdorues të ndryshëm, si @mesina080 përdorën programe për të fshirë emrat e faqeve dhe etiketën që paralajmëron për përmbajtje sintetike.

Screenshot nga videoja origjinale

Megjithatë, publikimi zanafillor i datës 20 tetor të çon te një faqe në Facebook e quajtur Newborn Cuteness, e krijuar vetëm një ditë para postimit që mblodhi mbi 44 milionë shikime.

Screenshot i Newborn Cuteness

Vetë faqja publikon rregullisht video të tjera fiktive të bebeve me mustaqe.

Screenshot i videove të tjera

2.Defektet vizuale: Qimet që zhduken kur lëviz koka

Një vëzhgim i kujdesshëm i videos zbulon paaftësinë e Inteligjencës Artificiale për të ruajtur qëndrueshmërinë e detajeve në lëvizje. Në sekondat e para, kur foshnja shikon djathtas, poshtë buzës duket qartë një tufë qimesh. Sapo foshnja kthen kokën majtas dhe më pas rikthehet në pozicionin fillestar, qimet poshtë buzës zhduken plotësisht, forma e mustaqeve tjetërsohet dhe poshtë syrit të djathtë shfaqet papritur një shenjë e errët që nuk ekzistonte në fillim.

Screenshot i vëzhgimit të videos

3.Parametrat teknikë dhe pamundësia biologjike

Videoja origjinale zgjat fiks 10 sekonda dhe operon me 24 korniza për sekondë (fps), që është standardi automatik i prodhimit të videove nga modelet aktuale të IA-së. Përtej teknikës, videoja dështon edhe në logjikën biologjike, pasi qëndrimi dhe lëvizja e foshnjës nuk ngjajnë me ato të një të sapolinduri.


Analiza

Në terminologjinë e sotme të internetit, përmbajtje të tilla quhen “AI Slop”. Video absurde, të prodhuara në seri nga faqe anonime me qëllimin e vetëm për të vjelë miliona klikime dhe monetizim në rrjetet sociale.

Fakti që kjo përmbajtje përfundon si kuriozitet në një sërë mediash vendase tregon se sa e pambrojtur është media shqiptare përballë epokës së re digjitale.

Në raste të tilla, jo vetëm çinformohet publiku, por normalizohet gënjeshtra, duke e bërë audiencën gjithnjë e më pak kritike ndaj manipulimeve shumë më të rrezikshme që qarkullojnë në rrjet.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Këqyrni detajet gjatë lëvizjes:

Modelet e sotme të IA-së krijojnë imazhe statike shumë të pastra, por shpesh dështojnë kur subjekti lëviz. Shikoni me vëmendje rrudhat, qimet, teshat apo nishanet kur personi në video lëviz. Nëse ato ndryshojnë formë ose zhduken, videoja me gjasa është e gjeneruar.

  • Kujtoni logjikën biologjike:

Përpara se të kërkoni shpjegime mjekësore për mustaqet, vëreni qëndrimin e foshnjës për lëvizje jonatyrale.

  • Jini skeptik për videot 10-sekondëshe pa burim:

Shumica e gjeneratorëve të videove me IA prodhojnë klipe që zgjasin nga 5 deri në 10 sekonda, pa zë origjinal dhe pa kontekst para ose pas skenës.


Verdikti

Pamjet e të sapolindurit me mustaqe janë gjeneruar me Inteligjencë Artificiale nga një faqe në Facebook e dedikuar për përmbajtje sintetike, përpara se të shkarkoheshin pa etiketën paralajmëruese dhe të raportoheshin gabimisht nga mediat shqiptare. Për këtë arsye, këtij raportimi i japim verdiktin: “I rremë”.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje e rreme që u shpërnda nga mediat shqiptare pa verifikim, pa qëllim mashtrimi, por me pasoja çinformuese për publikun.