Çfarë u raportua
Së fundmi, një video që tregon një person duke kafshuar një mi po qarkullon në rrjetet sociale me pretendimin se është emigrant në Spanjë. Kjo narrativë u përhap me shpejtësi si “provë” e krizës higjienike pas kalimeve masive kufitare nga Maroku javë më parë.
Në hapësirën mediatike shqiptare, lajmi u ripublikua nga portali infornews_al në Instagram, si më poshtë:

Për të shmangur përgjegjësinë, në fund të artikullit llogaria kishte shtuar fjalinë : “Megjithatë, origjina dhe autenticiteti i videos nuk janë konfirmuar…”
Çfarë gjetëm
1.Vendndodhja, 8,000 km larg Spanjës
Krahasimi i detajeve të rrugës dhe sfondit të videos me imazhet e Google Street View vërteton se ngjarja nuk ka ndodhur në Ceuta të Spanjës, por në Cape Town, Afrikë e Jugut, më shumë se 8,000 kilometra larg.

2.Video e vjetër e vitit 2024
Pamjet nuk kanë asnjë lidhje me dyndjet e emigrantëve në Ceuta gjatë kësaj vere. Agjencitë e licencimit të videove e kanë pasur këtë material në platformat e tyre që prej 1 shkurtit 2024, pra më shumë se dy vjet para krizës humanitare në Ceuta në korrik/gusht 2026.
3.Identiteti i personit në video
Burimet fillestare që e dokumentuan videon në vitin 2024 e përshkruanin personin në fjalë si një qytetar të pastrehë në Cape Town, jo emigrant.
Analiza
Portali Infonews_al ndërton narrativën e paqenë, duke folur për krizë, emigrantë, Spanjë, dhe tmerr higjienik në rrugë, për të thithur klikimet, para se të shtojë në fund: “autenticiteti nuk është i konfirmuar”.
Nga pikëpamja gazetareske, nëse një media pranon se materiali “nuk është i verifikuar”, atëherë ajo nuk duhet ta publikojë atë. Ky justifikim nuk e çbën dëmin që i bëhet opinionit publik. Titulli dhe pamjet ndikojnë te lexuesi, duke nxitur ksenofobi dhe keqinformim.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Përdorni mjetin tonë të kërkimit të imazheve:
Një reverse image search i një momenti çfarëdo nga videoja, pjesë e mjeteve tona, do të zbulonte menjëherë se ky material ka qarkulluar që në fillim të vitit 2024.
- Kushtojuni vëmendje detajeve të rrugës:
Tabelat rrugore, ngjyrat e vijave të asfaltit, ose drejtimi i lëvizjes së makinave (në Afrikën e Jugut makinat ecin në krahun e majtë, në Spanjë në të djathtë) mund të rrëzojnë pretendimin e bërë.
- Kini kujdes nga “lajmet e paverifikuara” që synojnë emigrantët:
Përmbajtjet tronditëse shpesh shkëputen nga konteksti për të përbaltur grupe të cenueshme si emigrantët apo të pastrehët.
Verdikti
Videoja e shpërndarë është xhiruar në Cape Town, Afrikë e Jugut, në fillim të vitit 2024, dhe paraqet një person të pastrehë. Për këtë arsye, postimit i japim verdiktin: I Rremë.
Klasifikimi
Ky rast mbart një klasifikim të dyfishtë: për llogaritë ndërkombëtare që e shpikën lidhjen me Spanjën me qëllim denigrimin e emigrantëve, përbën Dezinformim. Ndërkohë, për llogarinë shqiptare Infornews_al që e ripublikoi pa kryer verifikimet elementare, rasti klasifikohet si çinformim.