Çfarë u raportua
Të dielën, më 22 nëntor 2026, korveta ruse “Merkury” u godit dhe u fundos nga dronë detarë teksa ishte e ankoruar në bazën detare të Bengazit, në lindje të Libisë. Një ditë më vonë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi se sulmi ishte kryer nga Ukraina, duke publikuar edhe pamje të verifikuara nga Reuters.
Menjëherë pas kësaj, në rrjetet sociale qarkulloi me shpejtësi pretendimi se dronët detarë ishin nisur nga Shqipëria. Pretendimi u shoqërua me një hartë që tregonte një trajektore prej mbi 800 kilometrash nga brigjet shqiptare drejt Libisë, duke e vendosur vendin tonë në qendër të një incidenti të rëndë gjeopolitik.
Çfarë gjetëm
1.Burim anonim dhe një hartë fiktive
Pretendimi u shfaq fillimisht në një artikull të platformës Clash Report (me bazë në Stamboll), e cila ia atribuoi informacionin një “burimi” të paidentifikuar, pa ofruar asnjë imazh satelitor apo provë tjetër.

Më pas, llogaria në X Visioner (me bazë në Tbilisi) e amplifikoi pretendimin duke i shtuar një hartë fiktive me distancën mbi 800 km. Ironikisht, në të njëjtin postim, vetë Visioner pranoi se pika e saktë e nisjes dhe identiteti i operatorit mbeteshin të paverifikuara.

2.SBU flet për 'anije-mëmë'
Sipas agjencisë Reuters, vetë Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) deklaroi se dronët e përdorur në sulm u lëshuan nga një “anije-mëmë” në rajon, vendndodhja e së cilës mbahet sekret.
3.Tirana zyrtare përgënjeshtron çdo përfshirje
Nga ana tjetër, më 23 nëntor, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë reaguan zyrtarisht duke përgënjeshtruar kategorikisht çdo përfshirje. Ministria e Mbrojtjes theksoi se territori dhe Forcat e Armatosura shqiptare nuk kanë ofruar asnjë mbështetje dhe se “ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura”.
Analiza
Ky incident ekspozon një rrezik në rritje në raportimin e konflikteve moderne, pra besueshmërinë e verbër ndaj llogarive të ashtuquajtura OSINT (Open Source Intelligence) në platformën X.
Platforma si Clash Report apo Visioner kanë qindra mijëra ndjekës dhe prezantohen si burime të pavarura që punojnë me imazhe satelitore dhe verifikime nga terreni. Por, në garën për të dhënë “ekskluziven” e parë pas një sulmi, këto faqe shpesh publikojnë thashetheme nga burime anonime dhe i paketojnë ato me grafika profesionale, siç ishte harta e vizatuar nga Visioner.
Kështu, një hipotezë gjeografike e bazuar vetëm te rrezja e veprimit të një droni u shndërrua brenda pak orësh në një lajm që detyroi diplomacinë shqiptare të reagojë.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Harta grafike nuk është provë:
Çdokush mund të vizatojë një vijë në Google Maps mes dy pikave dhe ta postojë në X. Një hartë tregon vetëm distancën gjeografike, jo trajektoren reale të një droni, për të cilën duhen të dhëna radari ose pamje satelitore.
- Lexoni mohimet brenda vetë postimit:
Llogaritë virale të gjeopolitikës shpesh vendosin tituj sensacionalë dhe në fund shtojnë “mbetet e paverifikuar” për të larë duart. Nëse vetë burimi thotë se nuk e ka verifikuar, mos e merrni si fakt.
- Krahasoni me agjencitë ndërkombëtare:
Kur ka një sulm të madh ushtarak, kontrolloni raportimet e Reuters ose Associated Press. Në këtë rast, Reuters raportoi qartë se SBU-ja ukrainase përdori një “anije-mëmë” në det, jo një bazë tokësore në Ballkan.
Verdikti
Asnjë provë nuk mbështet pretendimin e shpërndarë nga llogaritë Visioner dhe Clash Report se dronët detarë që goditën korvetën ruse “Merkury” në Bengazi u nisën nga Shqipëria. Vetë shërbimi ukrainas SBU deklaroi se dronët u lëshuan nga një “anije-mëmë” në rajon, ndërsa institucionet shqiptare e kanë përgënjeshtruar zyrtarisht çdo përfshirje. Për këtë arsye, këtij raportimi i japim verdiktin: I Rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si Dezinformim. Një spekulim i bazuar në burime anonime dhe i ilustruar me një hartë fiktive në rrjetet sociale u shpërnda si fakt, duke implikuar pa prova Shqipërinë në një operacion ushtarak ndërkombëtar.
