Çfarë pretendonte lajmi
Në fund të majit 2026, disa portale shqiptare, mes tyre Top Albania Radio, Telegrafi dhe JOQ Albania, raportuan se reperi kanadez Drake ishte shfaqur duke veshur një bluzë me mbishkrimin “Bukë, Djath & Domate”, një togfjalësh shumë i njonur në kulturën shqiptare.
Fotot u bënë shpejt virale në rrjetet sociale, duke gjeneruar qindra komente dhe mijëra ndarje. Shumë portale e paraqitën si fakt të kryer, si një tjetër rast i “fiksimit” të Drake me Shqipërinë. Asnjë prej tyre nuk përmendte burime.
Çfarë gjetëm
1..Imazhi është i gjeneruar me AI
Pas kontrollit në SightEngine zbuluam se fotoja ishte gjeneruar me AI.

2..Burimi: llogari e lidhur me brendin
Gjurmimi i origjinës tregon se fillimisht imazhi nuk u shpërnda nga vetë reperi në kanalet e tij zyrtare, por nga një llogari e lidhur me brendin e bluzës, e cila më vonë e fshiu postimin.

Ky model shpërndarjeje është tipik i fushatave të marketingut viral: posto imazhin në internet dhe lër mediat ta amplifikojnë pa pagesë.
3..Fotoja nuk gjendet në asnjë nga agjencitë fotografike ndërkombëtare
Asnjë medium ndërkombëtar i verifikueshëm, si BBC, Rolling Stone, TMZ, Pitchfork, Variety, nuk raportoi për ngjarjen. Fotoja nuk gjendet në asnjë nga agjencitë fotografike ndërkombëtare si Getty Images, AP apo Reuters.
4..Portalet cituan njëri-tjetrin, jo burime të pavarura
Shumica e portaleve nuk cituan asnjë burim apo agjenci. Ky është fenomeni i “information laundering”: i njëjti pretendim i pa verifikuar qarkullon nëpërmjet kaneleve gjithnjë e më popullore gjersa origjina e tij e dyshimtë eklipsohet.
Analiza: pse funksionoi kaq mirë kjo fushatë
Suksesi i këtij manipulimi qëndron në shfrytëzimin e një baze reale faktesh. Drake ka një historik të dokumentuar ndërveprimi me komunitetin shqiptar, përfshirë fotografi me figura publike dhe referenca kulturore. Pra, imazhi përputhej me pritshmëritë e shqiptarëve, duke neutralizuar kështu filtrin e mendimit kritik.
Brendi e shfrytëzoi pikërisht këtë dinamikë. Duke krijuar një imazh AI bindës dhe duke e lënë të qarkullojë pa e deklaruar hapur si reklamë, arriti mbulim organik në dhjetëra portale pa shpenzuar asnjë qindarkë për hapësirë reklamuese. Ky model quhet astroturfing; simulim i një reagimi organik përmes ndërhyrjes së fshehtë komerciale.
Si ta dallosh herën tjetër
- Kërko imazhin me Google Lens ose TinEye
Kush e publikoi i pari dhe kur? Nëse burimi origjinal është një llogari anonime ose e lidhur me brendin, ji skeptik.
- A e raportojnë media ndërkombëtare të verifikueshme?
Nëse ngjarje kaq e madhe ekziston vetëm në portalet vendase, ka shumë gjasa të jetë e rreme.
- Shiko nëse portalet citojnë njëri-tjetrin:
Pesë portale që citojnë njëri-tjetrin nuk janë pesë burime të pavarura, janë një burim i vetëm.
- Pyet kush përfiton komercialisht
A ka produkt për shitje? A mundet dikush të fitojë nga kjo histori? Nëse po, ji skeptik.
- Përdor Mjetin tonë për analizë të menjëhershme.
Verdikti
Bluza me logon “Bukë, Djath & Domate” është e vërtetë, por Drake nuk e ka veshur kurrë atë. Fotoja është produkt i Inteligjencës Artificiale i krijuar dhe shpërndarë qëllimisht si fushatë marketingu astroturfing. Portalet shqiptare e ripublikuan pa asnjë verifikim, duke u bërë vegël e pavullnetshme e një strategjie reklamuese. Për këtë arsye, këtij lajmi i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si dezinformim. Imazhi është i fabrikuar me vetëdije nga brendi si fushatë astroturfing. Portalet shqiptare, edhe pse e shpërndanë pa qëllim mashtrimi, u bënë instrument i një dezinformimi komercial të llogaritur.