Çfarë u raportua
Pas fitores së Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, në rrjetet sociale nisi të qarkullojë një video e mbrojtësit të kombëtares spanjolle, Marc Cucurella. Sipas pretendimeve që shoqërojnë videon, lojtari mban trofeun origjinal të Kupës së Botës brenda një qeseje plastike pas përfundimit të ndeshjes.
Në hapësirën mediatike shqiptare, ky pretendim është shpërndarë si një kuriozitet nga Dosja.al dhe CNA në llogaritë e tyre zyrtare në rrjetet sociale.
Çfarë gjetëm
1.Lojtarët marrin vetëm kopje të trofeut
Fotografitë zyrtare të shpërndara nga Getty Images nga brenda dhomave të zhveshjes së Spanjës pas finales tregojnë qartë se dhjetëra kopje të trofeut ishin vendosur në vendet e secilit lojtar.

Pamjet tregojnë futbollistë si Pedri dhe Mikel Merino duke festuar me këto modele në dhomat e zhveshjes.

2.Detajet e Legos vs. Trofeut Origjinal
Pas një zmadhimi të pamjeve, objekti në qese shfaq cepa të ngjashëm me Lego.

Kjo përputhet me një video promocionale të publikuar nga Lego (partnere zyrtare e FIFA-s), modele të cilat u shpërndanë në dhomat e zhveshjes së ekipit të Spanjës.

3.Rregullorja e rreptë e FIFA-s
Sipas rregullores zyrtare të institucionit, fituesit e Kupës së Botës nuk e mbajnë kurrë trofeun origjinal përgjithnjë. Trofeu prej ari 18-karat i kthehet menjëherë FIFA-s pas ceremonisë së dorëzimit në fushë, ndërsa Federata Kampione merr me vete vetëm një kopje të veshur me ar.
Analiza
Gjatë ngjarjeve me shikueshmëri globale si finalja e Kupës së Botës 2026, një sasi masive e pamjeve nga prapaskenat shpërndahet online. Kjo krijon terrenin ideal për përmbajtje që shpërndahen jashtë kontekstit.
Kur faqet dhe mediat i marrin këto sekuenca dhe u shtojnë një përshkrim sensacionalist, publiku e pranon menjëherë narrativën pa e ditur se protokollet e sigurisë së FIFA-s nuk do ta lejonin kurrë një trajtim të tillë të asetit të tyre më të çmuar.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Zmadhoni pamjet:
Shpesh, cilësia e videos fsheh detajet. Nëse i kushtoni vëmendje reflekseve të dritës dhe formave, duket qartë që objekti në qese nuk ka ngjyrën e duhur të arit apo linjat e lëmuara të trofeut real.
- Njihni protokollet bazë:
Asnjë trofe me vlerë miliona dollarë nuk lihet në dorën e një lojtari të vetëm pa shoqërim të rreptë sigurie. Zakonisht, trofetë origjinalë janë gjithmonë pronë e institucioneve, jo e individëve.
- Kujdes me faqet e “memeve”:
Faqet që i japin jehonë të parat këtyre videove janë zakonisht llogari satirike ose agregate që kanë qëllim klikimet, jo informimin e saktë.
Verdikti
Pretendimi se Marc Cucurella mbajti trofeun origjinal të Kupës së Botës brenda një qeseje plastike është i pasaktë. Pamjet vizuale, bashkë me politikat e FIFA-s, tregojnë qartë se lojtarët po merrnin me vete suvenire personale, kopje ose modele të krijuara me Lego. Për këtë arsye, këtij lajmi i japim verdiktin: Kontekst i Mangët.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si Çinformim. Videoja është e vërtetë, por është rishpërndarë nga mediat vendase pa kontekstin e duhur.