Çfarë u raportua

Ditët e fundit, në rrjetet sociale dhe më pas në mediat online shqiptare si Voxnews.al, Lajmi i Fundit dhe a24news, është shpërndarë një histori sa komike aq edhe absurde rreth futbollistit të Chelsea-t dhe kombëtares angleze, Cole Palmer.

Kolazh i lajmeve të rreme për Cole Palmer dhe Corinna Kopf

Sipas lajmit të publikuar, modelja e njohur e platformës OnlyFans, Corinna Kopf, ka rrëfyer se e kishte ftuar yllin e futbollit në një dhomë hoteli në Londër. Në tekst pretendohet se ajo u vesh me të brendshme joshëse dhe u ul përballë tij, por Palmer luajti FIFA për katër orë pa pushim.


Çfarë gjetëm

1.Origjina: Faqe memesh dhe satire në Reddit

Historia nuk ka dalë nga asnjë media rozë apo podkast, por ka lindur në forumin satirik r/soccercirclejerk në Reddit.

Postimi origjinal në Reddit

2.Shabllon i ricikluar ('Copypasta') për sportistë të ndryshëm

Prova se ngjarja është e shpikur është fakti se i njëjti tekst përdoret fjalë për fjalë edhe për sportistë të tjerë në SHBA. Në forumet e futbollit amerikan, si r/nflrookies, qarkullon identik e njëjta histori për lojtarin e Las Vegas Raiders, Fernando Mendoza, dhe aktoren e filmave për të rritur, Abella Danger. Në gjuhën e internetit, kjo quhet copypasta: një bllok teksti humoristik që kopjohet dhe përshtatet për personazhe të ndryshëm.

Postimi i ngjashëm për lojtarin e NFL, Fernando Mendoza

3.Mungesë e burimeve serioze

Asnjë media serioze sportive apo e spektaklit në Britani apo SHBA nuk e ka raportuar këtë ngjarje.


Analiza: Kur kultura e meme-ve përkthehet si gazetari

Publikimi i kësaj historie nga portalet vendase tregon edhe një herë hendekun e madh mes kulturës së internetit dhe redaksive tona online, të cilat publikojnë lajme pa u bazuar në asnjë burim serioz.

Kur një redaksi nuk arrin të dallojë një copypasta meme nga një lajm i vërtetë, rrezikohet që çdo shaka e adoleshentëve në Reddit mund të përfundojë si titull kryesor në mediat tona.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Kërkoni citimin:

Kur lexoni se një personazh i famshëm “ka rrëfyer” diçka pikante, kërkoni burimin. Nëse artikulli nuk përmend asnjë burim ku është dhënë deklarata, jini skeptik.

  • Kujdes nga historitë që i përshtaten në mënyrë perfekte “memes” së personazhit:

Kur një histori tingëllon si karikaturë ekstreme e karakterit të një sportisti, gjasat janë të jetë krijuar nga tifozët për humor.


Verdikti

Lajmi se Cole Palmer ka injoruar modelen Corinna Kopf për të luajtur FIFA për katër orë është bazuar në një satirë interneti (copypasta) të krijuar nga faqet e meme-ve, e cila u përkthye dhe u publikua në Shqipëri pa u bazuar në asnjë burim serioz. Për këtë arsye, këtij lajmi i japim verdiktin: I rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Çinformim. Një përmbajtje e krijuar për humor, u përkthye dhe u publikua si lajm i vërtetë nga portalet vendase, pa qëllim të keq, por me pasoja çinformuese për publikun.