Çfarë u raportua

Pas valës masive të emigrantëve që kaluan nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutas në fund të korrikut 2026, rrjetet sociale u përmbytën me video dhe foto nga ngjarja.

Në këtë mes, një video që tregon qindra njerëz duke u ngjitur nëpër një kodër të thepisur, u bë virale në platformat X dhe Threads. Llogari të portaleve shqiptare në Instagram si VoxNews e ripublikuan videon me mbishkrimin se emigrantë marokenë u dyndën në territorin spanjoll.

Pamje nga videoja virale e shpërndarë nga VoxNews


Çfarë gjetëm

1.Gjurmimi i origjinës së videos

Një kërkim i thjeshtë për emrin e llogarisë “bedri.caner5”, i cili shfaqet si watermark në videon e shpërndarë, zbuloi llogarinë origjinale në TikTok. Videoja ishte publikuar që më 5 korrik 2026, pra disa javë përpara se të niste dyndja e emigrantëve në Ceuta.

Pamje nga llogaria origjinale në TikTok

2.Vendndodhja reale: Mali Cudi, Turqi

Përshkrimi i videos origjinale në TikTok thekson qartë se pamjet janë xhiruar në Malin Cudi, në juglindje të Turqisë.

Pamje nga Mali Cudi, Turqi

3.Pamjet tregojnë pelegrinazh fetar

Gazetari që shkrepi videon konfirmoi se pamjet tregojnë zonën ku besohet se ndodhet Arka e Noes, një vend ku rreth 40,000 deri në 50,000 njerëz ishin mbledhur për pelegrinazh. Bëhet fjalë për Ceremoninë Tradicionale Përkujtimore të Profetit Noe, edicioni i 5-të i së cilës u mbajt në datat 4 dhe 5 korrik 2026, ku mori pjesë edhe Kryetari i Parlamentit të Turqisë.

Foto e Kryetarit të Parlamentit të Turqisë gjatë ceremonisë në Malin Cudi


Analiza

Meqenëse pamjet duken “të vërteta” (turma është reale), lexuesit i besojnë menjëherë edhe mbishkrimit, pa e ditur se ngjarja ka ndodhur mijëra kilometra larg dhe për qëllime krejt të tjera.

Mediat shqiptare që ripublikuan videon pa verifikim, duke u bazuar në pretendimet e përdoruesve të rrjetit, ndihmuan në përhapjen e çinformimit tek publiku vendas.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Lexoni watermarks:

Kur shihni një video virale me logon e TikTok-ut apo aplikacioneve të tjera, kërkoni atë username në platformën përkatëse. Kjo zakonisht ju dërgon tek autori dhe data e vërtetë e publikimit.

  • Vëzhgoni mjedisin:

Peizazhet, bimësia, apo rrobat e njerëzve mund të japin të dhëna gjeografike. Mali Cudi në Turqi ka një reliev që dallon vizualisht nga brigjet detare dhe kodrat e Ceutas spanjolle.


Verdikti

Pamjet janë shkëputur nga konteksti i tyre origjinal dhe tregojnë në fakt pelegrinët vendas gjatë një festivali në Turqi. Për këtë arsye, pretendimi se videoja tregon emigrantë marokenë që po dynden ilegalisht në Spanjë është: I rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje që u shpërnda nga mediat shqiptare pa verifikim, pa qëllim keqdashës, por me pasoja çinformuese për publikun.