Çfarë u raportua

Më 18 gusht 2026, një video ku shfaqen qindra persona duke u përpjekur të kalojnë kufirin nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutas u bë virale në rrjetin social X. Postimi i publikuar nga llogaria e aktivistit të djathtë britanik Tommy Robinson shoqërohej me tekstin alarmant: “ËSHTË NJS PUSHTIM. Një ‘valë e dytë’ emigrantësh që po përpiqen të kalojnë kufirin nga Maroku… Vetëm Vox mund t’i japë fund kësaj marrëzie.”

Pamje nga videoja e shpërndarë në X ku pretendohet një valë e dytë emigrantësh në Ceuta

Narrativa për një “dyndje të dytë” në mes të gushtit mbërriti menjëherë edhe në hapësirën mediatike shqiptare. Portale si Dritare.tv dhe Voxnews.al e shpërndanë lajmin me pretendimin se Ceuta po përballej me një valë të dytë e të papërmbajtur emigracioni.


Çfarë gjetëm

1.Videoja është e ricikluar nga korriku

Nga kërkimi vizual dhe verifikimi i kronologjisë rezulton se e njëjta video ka qenë online në platformën Instagram të paktën që prej datës 31 korrik 2026. Ajo tregon pamje nga kriza e parë e emigrimit që ndodhi në fund të muajit korrik, e jo një ngjarje të re të mes gushtit. Screenshot nga publikimi origjinal i videos në Instagram më 31 korrik 2026

2.Situata reale në Ceuta gjatë gushtit

Është e vërtetë që Ceuta përjetoi një dyndje masive emigrantësh në ditët e fundit të korrikut dhe fillimin e gushtit 2026. Sidoqoftë, në mesin e muajit gusht situata ësthë vënë nën kontroll nga autoritetet detare spanjolle dhe marokene. Transmetuesi shtetëror i Marokut raportoi në mes të gushtit se rreth 300 persona që tentuan kalimin e kufirit u arrestuan, pa pasur asnjë “pushtim” apo kalim masiv kufitare siç pretendohej në video. Screenshot nga raportimi i transmetuesit shtetëror të Marokut mbi situatën në Ceuta gjatë gushtit 2026

3.Keqpërdorimi i pamjeve për agjenda politike

Riciklimi i videos nga llogari politike hiper-partizane kishte për qëllim të ushqente narrativën e krizës së jashtëzakonshme, njëherazi të përmendte partinë spanjolle të së djathtës extreme Vox, duke përdorur panikun e rremë për përfitime politike.


Analiza

Kjo është një nga format më të përhapura të keqinformimit vizual: Përdorimi i pamjeve reale nga e kaluara për të krijuar përshtypjen e një ngjarjeje të re dramatike.

Meqenëse publiku e mban mend se në Ceuta pati vërtet trazira dhe dyndje në fund të korrikut, paraqitja e të njëjtave pamje dy javë më vonë me mbishkrimin “valë e dytë” krijon përshtypjen e rreme se krizat po përshkallëzohen në mënyrë të pakontrolluar. Përkthimi dhe rishpërndarja pa verifikim nga mediat shqiptare si Dritare.tv apo Voxnews.al shërben si urë përcjellëse e këtij keqinformimi tek lexuesi vendas.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Verifikoni datën origjinale të videos:

Përpara se t’i besoni një postimi në X apo Instagram që pretendon se diçka po ndodh “TANI”, përdorni Google Lens ose InVID për të parë nëse e njëjta video është ngarkuar më parë në internet.

  • Jini vigjilentë ndaj gjuhës alarmante:

Fjalë me ngarkesë të fortë emocionale si “Pushtim”, “Valë e re”, apo “Nuk mund të ndalet” përdoren shpesh nga llogari politike për t’u mëshuar agjendave të tyre.

  • Kërkoni konfirmimin nga mediat e tjera ndërkombëtare:

Një krizë e re masive kufitare mbulohet gjithmonë në kohë reale nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve (si Reuters apo AFP), e jo vetëm nga llogari individuale në rrjete sociale.


Verdikti

Videoja e shpërndarë në mesin e gushtit që tregon një “valë të dytë pushtimi” të emigrantëve marokenë në Ceuta është e vjetër. Pamjet janë xhiruar gjatë krizës së fundkorrikut dhe u përdorën jashtë kontekstit për të sajuar një ngjarje që nuk ka ndodhur. Për këtë arsye, këtij pretendimi i jepet verdikti: Kontekst i Mangët.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje që u shpërnda nga mediat shqiptare pa verifikim, pa qëllim keqdashës, por me pasoja çinformuese për publikun.