Çfarë po raportohet
Në fillim të gushtit 2026, gjatë një krizë emigracioni në territorin spanjoll të Ceutas ku mijëra emigrantë nga Maroku u përpoqën të kalonin kufirin me not apo në këmbë, një video e shkurtër, ndër shumë të tjera, u bë virale në rrjetet sociale. Në video shfaqet një djalë i ri duke notuar në det ndërsa mban në dorë një shkop për selfie.

Lajmi u shpërndua nga media ndërkombëtare si NDTV, Al Arabiya dhe Noticias Telemicro, por mbërriti me shpejtësi edhe në hapësirën shqipfolëse. Llogari me ndjekës të shumtë në Instagram si Replikë, Gazeta Reforma dhe VoxNews e ripublikuan sekuencën me pretendimin se videoja tregonte një emigrant maroken që po hynte ilegalisht në Ceuta duke xhiruar veten.
Çfarë gjetëm
1.Burimi i videos origjinale
Nga kërkimi i kundërt i imazhit rezulton se kjo video është publikuar fillimisht në Instagram më 30 korrik 2026 nga vetë djaloshi që shfaqet në pamje. Ai publikon rregullisht video zbavitëse duke notuar në të njëjtin vend bregdetar.
2.Deklarata e vetë djaloshit në video
Pas përhapjes së thashethemeve në mediat ndërkombëtare, autori i videos publikoi një sqarim më 2 gusht në gjuhën arabe. Ai sqaroi se ndodhej në qytetin bregdetar El Jadida, në bregun lindor të Marokut, duke u shprehur: “Nuk kam qenë kurrë në Ceuta. Jam në El Jadida. Nuk kam dalë kurrë jashtë El Jadida gjatë jetës sime.”
Analiza
Kjo situatë ilustron mënyrën se si krizat humanitare krijojnë terren pjellor për përhapjen e informacionit të paqenë. Gjatë ditëve të fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit 2026, dyndja e dhjetëra mijëra emigrantëve në Ceuta ishte kryetitull i mediave botërore.
Në këtë kontekst, një video krejt e pafajshme dhe zbavitëse e një të riu maroken duke u larë në detin e qytetit të tij u shkëput nga profili origjinal dhe u vesh me narrativën dramatike të krizës humanitare. Faqet shqiptare si Replikë apo Gazeta Reforma, duke bërë ripublikime të pakontroluara nga mediat e huaja agregate, ndihmuan në ushqimin e këtij çinformimin tek publiku vendas.
Si ta dalloni herën tjetër?
- Bëni kërkim vizual të burimit (Reverse Image Search):
Mjafton të bëni një screenshot nga videoja dhe ta kërkoni në Google për të gjetur postimin origjinal dhe datën e saktë kur është ngarkuar për herë të parë.
- Kujdes nga mediat agregate:
Llogaritë në Instagram që publikojnë me dhjetëra video virale në ditë rrallëherë bëjnë verifikime gazetarske përpara se të postojnë.
Verdikti
Videoja që shfaq një emigrant maroken duke notuar me selfie-stick për të hyrë ilegalisht në Ceuta të Spanjës është reale, por është xhiruar nga një i ri maroken në qytetin El Jadida, pa asnjë lidhje me krizën kufitare të Ceutas. Për këtë arsye, këtij pretendimi i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si çinformim; përmbajtje e rreme që u shpërnda nga mediat shqiptare pa verifikim, pa qëllim dashakeq, por me pasoja çinformuese për publikun.