Çfarë u raportua
Së fundmi, në rrjetet sociale ka qarkulluar një fotografi e aktorit të njohur të Hollywood-it, Brad Pitt, përkrah partneres së tij, Ines de Ramon. Në këtë imazh, i cili u publikua edhe nga llogaria në Instagram e Living Albania, Pitt shfaqet me një fizik tepër muskuloz dhe të skalitur, i veshur me një kanotjere të zezë.

Fotoja është paraqitur si një dalje e re publike e çiftit, duke mbledhur mijëra pëlqime dhe komente mbi formën fizike “të pabesueshme” të aktorit në këtë moshë.
Çfarë gjetëm
1.Fotoja origjinale është 1 vit e vjetër dhe me kostum të verdhë
Kërkimi i anasjelltë i imazhit zbulon se fotografia autentike është shkrepur në New York City rreth një vit më parë, siç tregon ky artikull i Page Six. Në pamjen origjinale dhe të paredaktuar, Brad Pitt nuk mban veshur kanotjere dhe nuk ekspozon muskujt, por është i veshur me një xhaketë dhe pantallona të verdha.

2.Sfondi identik demaskon manipulimin
Krahasimi mes dy fotove vërteton se mbi imazhin origjinal është përdorur Inteligjenca Artificiale për ndërrimin e rrobave. Çdo detaj tjetër në foto ka mbetur identik: partnerja e tij, Ines de Ramon, mban veshur të njëjtën bluzë dhe fund bezhë, të njëjtat këpucë dhe çantën e bardhë në dorë. Po ashtu, makina e zezë Jeep në sfond, fasada e ndërtesës dhe roja i sigurisë në të majtë janë në të njëjtin pozicion.

3.Konfirmimi nga SightEngine
Analiza përmes platformës së specializuar për detektimin e manipulimeve sintetike, SightEngine, konfirmon me probabilitet të lartë se fotoja është modifikuar me Inteligjencë Artificiale.

Analiza
Ndonëse një foto e modifikuar e Brad Pitt nuk mbart rrezikun social të lajmeve të rreme politike, ajo tregon të njëjtën simptomë shqetësuese të mediave tona, pra mungesën totale të verifikimit para publikimit.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Përdorni Google Lens për fotot e VIP-ave:
Paparacët dhe agjencitë e mëdha (si Getty Images apo Backgrid) publikojnë qindra foto nga çdo dalje e personazheve të famshëm. Një kërkim i shpejtë i imazhit nxjerr menjëherë veshjen e vërtetë të asaj dite.
- Shikoni detajet e lëkurës dhe muskujve:
Mjetet e IA-së që ndryshojnë veshjet shpesh krijojnë lëkurë tepër të lëmuar, pa pore, dhe përmasa muskulore të ekzagjeruara që nuk përputhen me moshën apo strukturën reale të personit.
- Kujdes nga faqet e fansave:
Shumica e këtyre modifikimeve nisin në llogari fansash në TikTok ose Pinterest që eksperimentojnë me IA, dhe më pas përfundojnë gabimisht si “lajme” në mediat lokale.
Verdikti
Fotoja që tregon Brad Pitt me kanotjere dhe trup muskuloz është modifikuar përmes Inteligjencës Artificiale duke u bazuar në një fotografi të një viti më parë në New York, ku aktori mbante veshur një kostum të verdhë. Për këtë arsye, këtij raportimi i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si Çinformim. Media lokale e shpërndau imazhin e manipuluar pa qëllim të keq, por me pasoja çinformuese për publikun.