Çfarë pretendonte deklarata

Gjatë një emisioni në Euronews Albania, dhe më pas në një video të shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, pastori Akil Pano foli lidhur me një vendimmarrje të supozuar të Bashkimit Evropian. Ai u shpreh tekstualisht:

“Në 29 prill të 2026, vetëm një muaj më parë, komisioni i çështjeve sociale në BE ka propozuar një ligj të ri për të gjitha vendet e BE-së, që njihet si ‘the ban law’, ligji i ndalimit. I ndalohet mjekut, profesionistit, psikologut, pastorit, imamit, priftit, i ndalohet babait dhe nënës që përpiqet të kthejë në gjendjen natyrore një fëmijë që është në gjendje konfuzive. Në qoftë se përpiqet ta kthejë në gjendje natyrore apo ta mbajë, djalin të jetë djalë, apo vajzën të jetë vajzë, sipas këtij projektligji, quhet akt kriminal dhe personi që e bën këtë quhet kriminel. Pra baballarët dhe nënat që do kërkojnë të mbajnë fëmijët e tyre do të quhen kriminelë.”

Kjo deklaratë sugjeron se institucionet evropiane po kalojnë legjislacion penal që shënjestron drejtpërdrejt prindërit dhe profesionistët nëse këta të fundit mbrojnë biologjinë natyrore të fëmijëve të tyre.


Çfarë gjetëm

Nga rishikimi i dokumentit zyrtar (Opinioni SOC/854) i miratuar në seancën plenare të datës 29 prill 2026, faktet tregojnë një realitet krejt tjetër nga ai i deklaruar:

1. Nuk është ligj, por një rekomandim

Dokumenti i miratuar më 29 prill 2026 është një “own-initiative opinion” (opinion me iniciativë vetjake) i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian. KESE është një organ këshillimor i BE-së që përfaqëson shoqërinë civile dhe nuk ka kompetenca ligjvënëse.

Screenshot i dokumentit zyrtar të KESE-së

Ky dokument nuk është ligj, por një rekomandim që i bën thirrje Komisionit Evropian të prezantojë një propozim për ndalimin e praktikave të konvertimit.

2. Konteksti i fjalës 'Krim'

Pretendimi se prindërit “do të quhen kriminelë” është një shtrembërim. Në tekstin e KESE thuhet: “duke i përfshirë praktikat e konvertimit si ‘krime të BE-së’ dhe t’i njohë ato si krime urrejtjeje”.

Screenshot i dokumentit zyrtar të KESE-së

Përcaktimi i “krimit” i referohet dëmit të rëndë dhe torturës që vjen nga “terapitë e konvertimit”, jo rolit të prindit apo profesionistit.

3. Komisioni Evropian REFUZOI të bëjë një propozim të tillë

Komisioni deklaron se “nuk do të jetë efektive të bëjë një propozim për një akt ligjor të Unionit për qëllimet e nenit 11(4) TEU” dhe se nisja e një iniciative për të zgjeruar listën e krimeve sipas nenit 83(1) TFEU “nuk do të luftonte efektivisht fenomenin e praktikave të konvertimit.”

Screenshot i dokumentit zyrtar të KE-së

Komisioni synon të miratojë një rekomandim, një akt ligjor bazuar në nenin 292 TFEU, për mbrojtjen e njerëzve LGBTIQ+ dhe luftimin e praktikave të konvertimit. Komisioni synon të miratojë këtë rekomandim në vitin 2027.


Pse përdoret kjo taktikë?

Kjo ngjan si një nxitje për “panik moral”. Në këto raste, folësi merr një të dhënë të vërtetë, siç është data e saktë (29 prill 2026) dhe një tematikë reale (diskutimet e BE-së mbi terapitë e konvertimit), por e paraqet atë jashtë kontekstit.

Duke i paraqitur opinionet e një organi këshillues kundër praktikave abuzive e torturës si të ishin “ligje penale” për të dënuar prindërit si kriminelë, kjo deklaratë ngjan me një përpjekjeje për të manipuluar emocionalisht audiencën. Frika për fëmijët është një instinkt shumë i fortë; kur dëgjuesve u thuhet se “të mbrosh fëmijën do të quhet krim”, filtri i mendimit kritik shpesh zbehet, çka lehtëson shpërndarjen masive të këtij dezinformimi përpara se të verifikohet.


Si ta dallosh herën tjetër

  • Kupto ndryshimin mes “Rekomandimit” dhe “Ligjit”

Në Bashkimin Evropian, opinionet dhe rekomandimet e KESE-së janë thirrje politike dhe nuk kanë fuqi detyruese ligjore mbi qytetarët e vendeve anëtare apo shteteve jashtë BE-së.

  • Kërko terminologjinë e saktë

Nëse dëgjoni terma alarmantë (“do shpallin prindërit kriminelë”), kërkoni se cili është termi ekzakt teknik që po diskutohet (në këtë rast: “Praktikat e Konvertimit”). Do të zbuloni se dokumentet zyrtare flasin për problematika specifike dhe jo për rolin natyror të familjes.

  • Filtro thirrjet emocionale

Nëse një argument mbyllet me një pyetje retorike që synon t’ju bëjë të ndiheni të sulmuar (“A është krim të mbroj fëmijën tim?”), ka shumë gjasa që deklarata të jetë dizenjuar për t’ju manipuluar emocionalisht.


Verdikti i Verifiko.al

Pastori Akil Pano përdor një ngjarje dhe datë reale, por shtrembëron thelbin ligjor dhe përmbajtësor të saj. BE nuk propozoi asnjë ligj penal që shpall kriminelë prindërit, por po diskutonte rekomandime kundër praktikave abuzive të njohura si “terapi konvertimi”. Për shkak të këtij devijimi nga e vërteta, që ka elementë të keqinformimit, këtij pretendimi i japim verdiktin: Manipulues.