Çfarë po raportohet

Më 16 tetor 2026, një valë paniku përfshiu rrjetet sociale shqiptare. Postime të shumta në Instagram, Facebook dhe faqe portalesh aluduan se një “dyndje masive” avionësh nga Izraeli (Tel Avivi) po ulej njëri pas tjetrit në Aeroportin e Rinasit.

Postim në rrjetet sociale që pretendonte dyndje fluturimesh nga Izraeli

Pretendimet ngritën narrativa alarmi dhe konspiracioni, duke e paraqitur situatën si një operacion të fshehtë për sjelljen e agjentëve izraelitë për të neutralizuar protestën studentore në Tiranë.


Çfarë gjetëm

1.Fluturime të planifikuara të javës, asnjë fluks i papritur

Vetë Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) hedh poshtë çdo aludim për dyndje me anë të një deklarate zyrtare. Fluturimet në fjalë nuk ishin të papritura, ato ishin pjesë e kalendarit të rregullt dhe të planifikuar për gjatë gjithë javës.

Deklarata zyrtare e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës mbi fluturimet e planifikuara

2.Panik pa asnjë fakt mbështetës

Krijuesit e këtij paniku përdorën imazhe (screenshots) ku kodi i të njëjtit fluturim shfaqej disa herë për shkaqe të panjohura.

Screenshot i postimit në rrjetet sociale që pretendonte dyndje fluturimesh


Analiza

Ky incident është rasti klasik ku faktet rutinë kthehen në vegël për të shkaktuar panik. Të marrësh fluturime të skeduluara civilësh, që kryhen çdo javë si pjesë e turizmit dhe udhëtimeve të zakonshme, dhe t’i paketosh si një “fluks sekret agjentësh”, është papërgjegjshmëri.

Në kohëra të ngarkuara me tensione politike, audienca është e prirur të besojë skenarët më të këqij. Këtë e dinë shumë mirë portalet dhe llogaritë në rrjetet sociale, të cilave u mjafton një fotografi gjysmë e pakuptueshme orari për të ndërtuar narrativa mashtruese që ngjallin ankth. Publikut i shitet një gënjeshtër e mbështjellë me mister, pa ofruar asnjë provë reale, asnjë konfirmim zyrtar dhe asnjë të dhënë nga autoritetet e aviacionit.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Dalloni rutinën nga emergjenca:

Çdo linjë ajrore ka një kalendar javor. Nëse shihni lajme për “dyndje të befta”, hyni te kalendari aeroportit përkatës, ose në faqe të tjera të monitorimit të trafikut ajror, si Flightradar24.

  • Mos reagoni ndaj gjuhës së panikut:

Kur postimet përdorin fjalë si “skandal”, “po na e mbajnë fshehur”, apo “dyndje e frikshme”, ato po synojnë emocionet tuaja, jo logjikën. Një lajm i bazuar në fakte përdor shifra dhe burime zyrtare, jo klithma.


Verdikti

Pretendimi se Shqipëria u përball me një dyndje të papritur fluturimesh nga Izraeli është i pabazuar në fakte dhe u bë për të ngjallur panik. Fluturimet ishin të planifikuara normalisht si pjesë e kalendarit javor të aeroportit. Për këtë arsye, këtij pretendimi i japim verdiktin: manipulues.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si keqinformim. Ngjarja reale u shtrembërua dhe u nxor nga konteksti për të shkaktuar panik.