Çfarë u raportua

Së fundmi, faqja replikemedia në Instagram publikoi një video ku shfaqen arka të mëdha të mbushura me trupa pulash të papastruara, të cilat ngarkohen me mjete pune industriale.

Postimi shoqërohej me mbishkrimin alarmues si më poshtë:

Screenshot i postimit të replikemedia

Ky pretendim ngriti menjëherë shqetësime dhe indinjatë te publiku shqiptar lidhur me sigurinë ushqimore dhe standardet e mishit që përpunohet në rajon.


Çfarë gjetëm

1.Jashtë çdo standardi higjienik ushqimor

Në industrinë ushqimore, mishi i pulës përpunohet brenda ambienteve sterile, ku shpendët theren, u hiqen pendët, pastrohen nga të brendshmet dhe futen menjëherë në dhomat e ftohjes. Në video, trupat e pulave janë me pendë, të mbuluara me papastërti dhe të lëna në arka të hapura në diell dhe pluhur. Transporti i ushqimit në kushte të tilla përbën vepër të rëndë penale dhe sjell bllokimin e menjëhershëm të çdo biznesi nga Autoritetet e Ushqimit (si EFET në Greqi).

2.Pastrim pas fatkeqësive natyrore ose sëmundjeve epidemike

Pamjet tregojnë një operacion pastrimi ose renderimi. Në Greqi dhe vendet e rajonit, gjatë fatkeqësive natyrore ose sëmundjeve epidemike, me dhjetëra mijëra pula mund të ngordhin brenda pak orëve. Fermerët janë të detyruar me ligj t’i nxjerrin menjëherë trupat jashtë me mjete pastrimi për të parandaluar përhapjen e epidemive.

3.Arkat industriale shkojnë për djegie, jo për therje

Arkat e mëdha dhe ngarkuesit industrialë qё shihen në video pёrdoren ekskluzivisht për mbledhjen e mbetjeve organike bujqёsore. Nga ferma, kёto arka ngarkohen në kamionё të veçantё për t’u transportuar drejt impianteve të certifikuara të djegies ose pёrpunimit të mbetjeve, siç e pёrcakton legjislacioni evropian i biosigurisё.


Analiza: Nga padija redaktoriale te paniku ushqimor

Shpërndarja e pamjeve si “skandal ushqimor” nga portali në fjalë me shumë gjasa buron nga mungesa e filtrave redaktoriale se sa nga një qëllim dashakeq për dezinformim.

Të gjendur përballë pamjeve, me sa duket administratorët e faqeve të tilla nxitojnë t’i shpërndajnë ato me tituj sensacionalë për të gjeneruar ndërveprim sa më shumë klikime.

Përdorimi i fjalive si “dyshohet se…”, “ende nuk ka një konfirmim zyrtar…” ose “ngrihen pikëpyetje” përdoret si mburojë për t’i shpëtuar përgjegjësisë. Megjithatë, efekti te publiku është i menjëhershëm, duke mbjellë panik dhe dezinformim për sigurinë ushqimore.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Vëzhgoni kushtet e higjienës:

Produktet e mishit që shkojnë për konsum nuk transportohen asnjëherë me trupa të papastruar, pa ftohje frigoriferike dhe në arka të hapura mbi asfalt.

  • Kërkoni njoftimet zyrtare të bllokimit:

Nëse një fabrikë do të kapet duke transportuar shpendë apo kafshë të tjera si në pamjet e videos, autoritetet e sigurisë ushqimore publikojnë menjëherë njoftime zyrtare për sekuestrim dhe procedim penal.

  • Dalloni mbetjet nga produkti:

Mjetet e rënda industriale (eskavatorët, ngarkuesit e hapur) përdoren për menaxhim mbetjesh, jo për transportin e produktit të destinuar për konsum.


Verdikti

Videoja e publikuar nga replikemedia nuk tregon transportin e pulave në një fabrikë mishi në Greqi por pastrimin dhe asgjësimin e mbetjeve shtazore, sipas rregullave të biosigurisë. Për këtë arsye, këtij raportimi i japim verdiktin: I rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si çinformim; Videoja u shpërnda nga media në fjalë pa verifikim, pa qëllim dashakeq, por me pasoja çinformuese për publikun.