Çfarë po raportohet

Portali Voxnews.al publikoi një video në Instagram, duke pretenduar se kamerat termike kishin dalluar anakonda gjigante në Amazonë.

Screenshot nga video e publikuar nga VoxNews.al

Videoja tregon një sfond të gjelbër të errët ku shfaqen dhjetëra forma të holla, të gjata dhe ndriçuese (si fije neoni të bardha), të cilat, sipas përshkrimit të postimit, janë anakonda.


Çfarë gjetëm

1.Anatomi absurde

Format ndriçuese në video nuk kanë asnjë lidhje me anatominë e një anakonde, pasi shfaqen dhjetëra metra të gjata, me trashësi të ekzagjeruar. Ky absurditet vizual është vënë re menjëherë edhe nga vetë komentuesit e faqes, të cilët e etiketojnë videon me të drejtë si të manipuluar në mënyrë digjitale.

2.Zvarranikët janë me gjak të ftohtë

Zvarranikët me gjak të ftohtë (si anakondat) nuk prodhojnë nxehtësi të brendshme trupore. Temperatura e sipërfaqes së tyre varet nga ambienti rrethues. Rrjedhimisht, ato kurrë nuk lëshojnë një “gjurmë të fortë nxehtësie” që ndriçon në errësirën e një pylli të ftohtë apo uji të Amazonës, siç pretendon postimi.


Analiza

Redaksia me sa duket injoron faktet e biologjisë së shkollës fillore, që zvarranikët nuk rrezatojnë nxehtësi si gjitarët, dhe zgjedh të publikojë një video pa bërë verifikimet e duhura.

Kur vetë lexuesit, përmes komenteve kritike, tregohen më të vëmendshëm dhe më të informuar se media që shpërndan lajmin, kjo është një shenjë e qartë se diçka nuk shkon me këtë model gazetarie.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Shikoni komentet:

Shpesh lexuesit janë filtri i parë më i mirë. Nëse komentuesit po vënë në dukje që diçka nuk shkon me videon, jini skeptikë.

  • Kujtoni Biologjinë Bazë:

Nëse shihni një zvarranik që “ndriçon” nga nxehtësia në një kamerë termike në mes të natës, jini skeptik. Përveçse vizualisht, shpesh zvarranikët kamuflohen edhe termikisht, pasi marrin temperaturën e ambientit.


Verdikti

Videoja përmban forma vizuale absurde që nuk përputhen me anatominë e një anakonde, dhe shpjegimi injoron faktin se gjarpërinjtë janë kafshë me gjak të ftohtë që nuk lëshojnë gjurmë të tilla nxehtësie. Për këtë arsye, këtij postimi i jepet verdikti: I rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Çinformim. Videoja u shpërnda nga media në fjalë pa verifikim, pa qëllim dashakeq, por me pasoja çinformuese për publikun.