Çfarë u raportua

Ditët e fundit, rrjetet sociale janë pushtuar nga një video spektakolare që tregon testimin e një shpikjeje “revolucionare” nga Kina. Një kaskë motori e pajisur me një airbag që, në momentin e aksidentit, nuk mbron vetëm kokën, por fryhet aq shumë sa mbështjell të gjithë trupin e motorçiklistit.

Në Shqipëri, videoja u shpërnda në Instagram nga VoxNews, si më poshtë:

Screenshot nga videoja e shpërndarë nga VoxNews

Çfarë gjetëm

1.Gabimet fizike dhe konfirmimi InVid

Një vëzhgim i kujdesshëm i videos zbulon anomali tipike të përmbajtjeve sintetike.

Ekranet e telefonave të dy personave që po filmojnë testin tregojnë një skenë krejt tjetër nga aksidenti kryesor:

Screenshot nga videoja që tregon ekranet e telefonave të dy personave që po filmojnë testin

Mbrojtësja e gjurit të motorçiklistit ka një njollë të kuqe kur ai bie, por kur del nga airbag-u ngjyra e saj kthehet në të verdhë:

Pamje nga videoja që tregon ndryshimin e ngjyrës së mbrojtëses së gjurit

Për më tepër, mjeti i detektimit InVid identifikon pjesë nga video si produkt të Inteligjencës Artificiale.

Pamje nga InVid që tregon pjesë të videos si produkt të Inteligjencës Artificiale

2.Origjina, një faqe konceptesh futuristike me AI

Gjurmimi i pamjeve të çon në faqen e Facebook Zero Gravity Gang, e cila publikon rregullisht video të ngjashme futuristike dhe të gjeneruara me IA.

Screenshot i faqes së Facebook Zero Gravity Gang që tregon video të ngjashme futuristike dhe të gjeneruara me AI

3.Çfarë ekziston realisht në treg?

Aktualisht ekzistojnë jelekë me airbag për pjesën e sipërme të trupit, si dhe koncepte kaskash që mbrojnë vetëm kokën, si ai i prezantuar në vitin 2022 nga kompania italiane Airoh dhe ajo suedeze Autoliv.


Analiza

Videot e shkurtra me “shpikje të pabesueshme nga Kina” janë kthyer në një nga kategoritë më të preferuara për llogaritë e mediave në Instagram. Ato garantojnë mijëra shikime, komente dhe shpërndarje të menjëhershme.

Redaksitë që menaxhojnë llogaritë e rrjeteve sociale shpesh mjaftohen me efektin “wow” të videos dhe nuk harxhojnë as një minutë për të parë detajet brenda saj, si një krah që zhduket apo një mbrojtëse gjuri që ndërron ngjyrë.


Si ta dallosh herën tjetër?

  • Ndiqni vazhdimësinë e objekteve dhe ngjyrave:

Në videot sintetike, objektet e vogla, si ngjyra e rrobave, mbrojtëset apo gjymtyrët, shpesh ndryshojnë formë ose zhduken pas një lëvizjeje të shpejtë.

  • Kërkoni produktin në faqen e kompanisë:

Nëse një shpikje vërtet revolucionare është gati për testim, kompania prodhuese do të kishte publikuar njoftime zyrtare për shtyp.


Verdikti

Videoja që tregon një kaskë motori me airbag që mbështjell të gjithë trupin është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale dhe një produkt i tillë nuk ekziston. Për këtë arsye, këtij postimi i japim verdiktin: I Rremë.


Klasifikimi

Ky rast klasifikohet si Çinformim. Një video konceptuale sintetike u shpërnda në rrjetet sociale si një shpikje reale teknologjike, pa qëllim të keq, por me pasoja çinformuese për publikun.